Raporti i USAID-it, mediat elektronike, jo të balancuara
USAID-i publikoi dje një raport, i cili dha rezultate mbi një monitorim që u është bërë mediave vizive në vendin tonë. Raporti në fjalë nxjerr se mediat elektronike janë të pabalancuara në fushatë. Raporti i shkruar prej Delta Publicity përmbledh gjetjet nga një përpjekje monitoruese që përfshin programin e lajmeve televizive të gjashtë kanaleve në harkun kohor deri në orën 24:00, si dhe të katër gazetave të mëdha ditore për periudhën 15-22 maj 2009. Raportet e tjera do të botohen në mënyrë javore përgjatë periudhës zgjedhore. Rezultatet janë bazuar në metodat e monitorimit, të cilat përdorin analizën sasiore, pra koha e transmetimit ose hapësirë kolonash gazete që u janë ofruar partive dhe koalicioneve dhe analizë cilësore si përmbajtja dhe toni i mbulimit, qofshin pozitive, negative apo neutrale. Sipas raportit, koalicionet dhe partitë më të rëndësishme kanë marrë mbulim të pabarabartë prej stacioneve televizive të monitoruara, me përjashtim të Vizion Plus-it. TV Klan dhe TVSH-ja u kanë dhënë më shumë kohë PD-së dhe aleatëve të saj të koalicionit “Aleanca e ndryshimit.” Top Channel, TV Koha dhe News 24 u kanë dhënë më shumë minuta kohë PS-së dhe aleatëve të saj të koalicionit “Bashkimi për ndryshim”.
Partitë nisin fushatën, Ristani: Respektoni ligjin
Partitë politike nisën zyrtarisht fushatën elektorale, ndërsa kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i ka paralajmëruar ato që të respektojnë ligjin zgjedhor. Ai uroi partitë për një fushatë të mbarë dhe kërkoi që edhe fushata të karakterizohet nga një frymë bashkëpunimi për të respektuar ligjin. “Shpresojmë që me këto zgjedhje, Shqipëria, tashmë një vend anëtar i NATO-s dhe së shpejti edhe kandidat për në BE, t’i japë fund tranzicionit”, - tha Ristani. Tashmë ka hyrë në fuqi fushata elektorale e partive sipas Kodit Zgjedhor. Partitë kanë të përcaktuara në Kod të gjitha rregullat në lidhje me bërjen e fushatës. Gjatë fushatës zgjedhore, Radiotelevizioni Publik vë minutazh falas në dispozicion të partive politike të regjistruara në KQZ. Sipas vendimit të Komisionit Zgjedhor, dy partitë e mëdha, PD dhe PS, përfitojnë kohë të barabartë, në 30 ditët e fushatës, e cila përllogaritet me rreth 60 minuta. Ndërsa, partitë e tjera parlamentare kanë kohë të barabartë, 30 minuta, për partitë jashtë Parlamentit koha e vënë në dispozicion është 10 minuta. Respektimi i kohës televizive të fushatës së subjekteve zgjedhore në media do të monitorohet nga një bord i posaçëm i ngritur pranë KQZ-së, i cili në rast shkeljeje të minutazhit të parashikuar në ligj nga ana e operatorëve radiotelevizivë, do të aplikojë masa ndëshkuese me gjobë, deri në bllokimin për 48 orë të operatorit.