Dibër, Topalli prezanton 6 kandidatët për deputetë
Në vijim të turit të saj, kryetarja e Kuvendit u ndal në tri komuna të Dibrës në Maqellarë, Kastriot dhe Fushë-Aliaj, ku prezantoi të gjashtë kandidat e PD-së për qarkun e Dibrës. Topalli kërkoi votën për kandidatët Jemin Gjana, Sherefedin Shehu, Bedri Hoxha, Selami Xhepa, Marjana Bulku dhe Dhurata Çupi, pasi sipas saj, ata paraqesin vlerat më të mira për Dibrën. Duke folur më tej, Topalli u shpreh se kjo qeveri bëri të pamundurën në katër vitet që lamë pas. “Në mandatin e parë ne kemi bërë atë që ishte gati e paimagjinueshme. Katër vite përpara gjetëm një Shqipëri, të radhitur si e para ne vendet më të korruptuara, si vendi me monopolet më të mëdha me kriminalitetin më të madh. Sot kemi një Shqipëri që është shpallur me qeverinë e saj si kampione në luftën kundër korrupsionit. Sot kemi një Shqipëri që ka një imazh tjetër, sot jemi në NATO. Sot jemi shumë afër BE-së”, - deklaroi Topalli. Ajo akuzoi edhe PS-në, të cilën e cilësoi si një parti interesash të ngushta mes pak njerëzve. “Përballë, - tha kryetarja e Kuvendit, - nuk kemi Partinë Socialiste. Ata që kanë Bashkinë e Tiranës në dorë janë një kryesi dhe një grup parlamentar të cilët janë të lidhur vetëm me interesa ekonomike, vetëm me klientelizëm, vetëm me 15-përqindëshat, vetëm me lejet e ndërtimit”. Sipas saj, në katër vitet që lamë pas, shqiptarët panë nga afër një ndryshim në jetët e tyre. “E kemi bërë me rrugët nacionale, me energjinë elektrike, me laboratorë kompjuterikë. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë më dinjitoze, kurrë shqiptarët nuk kanë qenë më të respektuar. Kurrë nuk më është dukur më i bukur flamuri shqiptar sesa kur ngjitej mes flamujve të kombeve të tjera”, - deklaroi Topalli përpara banorëve të tri komunave të Dibrës.