Berisha-Ramës: Për të fundit herë po të kërkoj vihu në ballë të garës
Kryeministri Sali Berisha njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar një miting elektoral në qytetin e Shkodrës, ku ju bëri thirrje qytetarëve shkodranë që në 28 qershor të votojnë PD. Katër vite, me besimin tuja të madh, me shpresat tuaja si energji e pashtershme, ne ia dolëm ta ndryshojmë Shkodrën, ia dolëm ta ndryshojmë Shqipërinë.
Këto katër vite, ne, së bashku, ia dolëm të lartësojmë më shumë se kurrë emrin dhe dinjitetin tonë si shqiptarë, emrin e Shqipërisë, u shpreh Berisha. Ai bëri një rezyme të arritjeve të qeverisë së tij gjatë këtyre 4 viteve dhe ju premtoi shkodranëve se në katër vitet e ardhshme do të rriten rrogat dhe pensionet, si dhe do të krijohen vende të reja pune. Shpirti juaj krijues, shpirti juaj punëtor e ndryshoi Shkodrën në katër vite. Mijëra e mijëra sipërmarrje të vogla e të mesme janë hapur në qytetin tuaj, mijëra kantiere të tjera janë dhe do të hapen, u shpreh Berisha duke shtuar se dhe të tjera do të ndërtohen akoma. Berisha i bëri thirrje për herë të fundit kryesocialistit Rama që të marrë pjesë në këtë garë elektorale, dhe i kërkoi që të mos ju kërkonte qytetarëve votën dhe vetë të fshihej por të dilte në krye të listës dhe të provonte veten. Rama mos ki frikë, kërkojua votat shqiptarëve, por verë veten në krye të listës, sepse ky është detyrimi i fundit që ti mund të përmbushësh, përndryshe fundi yt është i njëjtë me atë të etërve të tu. Nuk ke të ardhme. Ky është paralajmërimi im serioz, tha Berisha. Në fund të fjalës së tij Berisha ju bëri thirrje shkodranëve që të pajisen me karta identiteti.