Berisha, Ramës: Përballu me mua për postin e Kryeministrit
Që nga Kruja, z. Berisha i bëri dje apel Ramës që mos të fshihet pas karriges së bashkisë, por të dalë në zgjedhje dhe t’u tregojë gjithë socialistëve të ndershëm se di të garojë për Kryeministër. Ai iu drejtua Ramës: “Dil, sepse ata që të ndjekin ty, ata socialistë të ndershëm, duan të të shohin ty të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të bashkisë, pas karrigeve të bashkisë!”
Z. Sali Berisha ftoi dje Edi Ramën që të përballet në garën për Kryeministrin e ri të vendit, por pasi të ketë dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Që nga Kruja, Berisha i bëri dje apel Ramës që mos të fshihet pas karriges së bashkisë, por të dalë në zgjedhje dhe t’u tregojë gjithë socialistëve të ndershëm se di të garojë për Kryeministër. Me thirrjen që të gjejë guximin dhe forcën për të hyrë në këtë garë, kreu i qeverisë, Berisha, i kujtoi Ramës, pikërisht në Krujën e Skënderbeut, se duhet të ketë trimëri dhe të përballet dhe jo të fshihet pas fustaneve të bashkisë. “I bëj thirrje z. Rama: Hajde këtu në Krujë, ngrije kokën lart, ki guxim dhe shihe drejt e në sy Skënderbeun, sepse dashtë Zoti, të jep pak forcë të japësh dorëheqjen nga kryetar i bashkisë dhe të dalësh në shesh të mejdanit, për të treguar se fundi yt politik është data 28 qershor. Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së bashkisë. Dil, edhe një herë të them, sepse ata që të ndjekin ty, ata socialistë të ndershëm, duan të të shohin ty të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të bashkisë, pas karrigeve të bashkisë”, - deklaroi z. Berisha. Me sigurinë se më 28 qershor, shqiptarët do ta nxjerrin atë humbësin më të madh në historinë e zgjedhjeve, Berisha i kujtoi Ramës se përballë do të ketë alternativat, projektet, reformat, të ardhmen evropiane që vetëm e djathta do të mund ta konkretizojë. Për këtë Berisha iu drejtua Ramës: “Pavarësisht nga ato që ke shpifur dhe trilluar, dil, hajde këtu dhe uroj që të të japin pak trimëri, por e sigurt është disfata e thellë, humbja më e madhe që ka njohur ndonjëherë ndokush në zgjedhjet në Shqipëri”. Berisha shprehu bindjen se kjo alternativë, alternativa e mohimit dhe e përçarjes, do të marrë ndëshkimin më të merituar më datë 28 qershor. Duke renditur disa nga arritjet e qeverisë gjatë këtij mandati, Kryeministri u shpreh: "Këto katër vite ishin vite të një udhe të suksesshme dhe jo pa vështirësi". “Ne, - tha ai, - rindërtuam apo ndërtuam nga e para 1012 shkolla dhe çuam internetin në çdo shkollë të Shqipërisë. Në këto 4 vite ne dyfishuam rrogat dhe pensionet dhe nxorëm nga skema e varfërisë 400 mijë qytetarë shqiptarë". Berisha premtoi se "në mandatin e dytë nuk do të ketë shqiptar që të jetojë me nën 2 dollarë në ditë". Kreu i qeverisë u ndal te investimet në infrastrukturë, ku theksoi se "në këto 4 vite, Shqipëria është shndërruar në një kantier ndërtimi". Sipas tij "në 4 vite, në fshatrat shqiptare janë investuar 1.6 miliard dollarë në rrugë dhe rrugica, në ura, në shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellës dhe kanalizime".
Duke theksuar se janë realizuar rreth 5 miliardë euro investime në vend, Kryeministri deklaroi: "Këto investime bëjnë që të ecë përpara revolucioni ynë industrial dhe makineria e punësimit të shqiptarëve, duke krijuar kushtet që zhvillimi i këtij vendi të jetë më i shpejtë se i çdo vendi tjetër". Përballë alternativës së djathtë, sipas kreut të qeverisë, "qëndron alternativa e nxirjes e damkosjes". "Kreu i PS-së nuk di gjë tjetër, përveç se mbi nxirjen dhe mohimin të ngrejë karrigen e tij. Unë jam i bindur se alternativa e mohimit dhe e përçarjes do të marrë ndëshkimin më të merituar më datë 28 qershor", - tha ai. Kryeministri ishte dje në Krujë për “Shqipëria po ndryshon” ku përuroi përfundimin e punimeve të rrugës Krujë - Abazaj me gjatësi 1.1 km, investim me vlerë 38 milionë lekë, si dhe sistemin e ndriçimit të të gjithë rrjetit rrugor të qytetit, investim me vlerë rreth 25 milionë lekë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha përuroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit dhe rindërtimin e rrugës para bashkisë së qytetit, investim me vlerë 41 milionë lekë. Gjatë takimit me banorët e zonës, Kryeministri informoi: "Në tetë vitet e qeverisë socialiste, në Bashkinë e Krujës janë investuar 180 milionë lekë, ndërsa gjatë këtyre katër viteve, nga Partia Demokratike janë investuar 1 miliard e 550 milionë lekë". "Në Krujë janë rrënjët e ekzistencës sonë kombëtare, pasi ky është kryeqyteti historik i shqiptarëve. Unë vij këtu më krenar se kurrë, sepse ne rikthyem Shqipërinë në gjirin e familjes së kombeve që u përkasim, pra bëmë që lufta e Skënderbeut të ndriçojë më shumë se kurrë në historinë tonë kombëtare", - deklaroi z. Berisha.