E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e opozitës, reagon kryesia e Kuvendit

Opozita argumenton arsyet e mungesës. Kuvendi: Nuk janë të vërteta


TIRANË- Opozita nuk mori pjesë dje në seancën plenare të pasdites. Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi dje se deputetët ishin njoftuar me sms për zhvillimin e seancës.


"Seancat zhvillohen zakonisht të enjteve paradite. Ne nuk bëhemi pjesë e mënyrës së degraduar se si punon Kuvendi",- tha Leskaj. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryesisë së Kuvendit. Zëdhënësja e zyrës së shtypit të Kuvendit, Kostana Furxhi, ka deklaruar dje për mediat se njoftimi për zhvillimin e kësaj seance plenare është bërë 2 ditë përpara, duke vënë në dijeni sekretarët e të gjitha grupeve parlamentare.


"Ky rend dite është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë. Për datën dhe rendin e ditës, deputetët janë lajmëruar edhe përmes televizionit publik shqiptar.


Rendi i ditës i seancës së ditës së sotme ka të përfshirë vetëm votimin e ligjeve që u shqyrtuan në seancën plenare të datës 11 maj 2009, që miratohen me një shumicë prej 3/5 të votave, të cilat, fatkeqësisht, u bojkotuan nga opozita parlamentare. Ky fakt publik mund të konstatohet fare lehtë.


Çdo pikë tjetër e rendit të ditës, jashtë rendit të ditës së seancës plenare të datës 11 maj 2009, do të shqyrtohet ne seancë plenare vetëm pasi të jetë mbledhur më parë konferenca e kryetarëve sipas rregullores së Kuvendit", - tha dje Furxhi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›