E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjislatura rekord, 700 ligje



Janë pulsantët që shtypin dritën jeshile të një kombi, sepse i hapin rrugë ligjit. Dijetarë, që dinë atë që është e lejuar dhe veprojnë mbi të. Parlamentarët dhe tempulli ku projektligjet kthehen në ligje. Tashmë i japin fund një legjislature 4-vjeçare. Janë parlamentarët e legjislaturës XVII. Ata që janë betuar mbi Kushtetutën e Republikës për të zbatuar vetëm ligjet e këtij vendi. Janë ligjet që vetë deputetët i miratojnë. Mijëra orë të marra nga koha e tyre. Një legjislaturë rekord, me 700 ligje të miratuara. E nisën me eufori 4 vjet më parë. Atëherë në karriget e Kuvendit kishin të freskët shijen e të votuarit nga njerëzit. Kurse tani atë të ikjes... Një ankth nëse do të jenë sërish në lista apo prova e vështirë e 28 qershorit nëse do të mund të rikthehen sërish në sallën e Kuvendit të ri të Shqipërisë. Është institucioni që për herë të parë në historinë e vendit arriti të miratonte afro 700 ligje. Një përkujdesje prej një mazhorance qeverisëse të kryesuar nga z. Sali Berisha, me përkushtimin e qartë për të bërë ligje sa më të mira që do t’u shërbenin vetëm interesave të shqiptarëve. Një rendiment i suksesshëm i parlamentarizmit, por edhe performancë ndryshe nga aplikimi i legjislaturave të kaluara. Shumë risi që nuk mund të shmangen dot ku më pikantja është ajo e diplomacisë parlamentare, një meritë kjo kryesisht e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Për hir të saj, ajo nuk ngurroi të vinte shaminë mbi kokë në vendet arabe apo kapelen në Perëndim për të respektuar protokollet e vendeve që i hapën dyert përgjatë këtyre katër viteve që drejtoi institucionin e Parlamentit shqiptar. Kjo diplomaci, pa dyshim ka edhe kontributin e saj në proceset e anëtarësimit në NATO, përmbylljen e MSA-së si dhe në njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Menaxhimi i situatave, sa delikate aq dhe të ashpra, ishte një tjetër sukses i mazhorancës përballë një opozitë destruktive shpeshherë dhe e dhunshme. Përfaqësimi parlamentar i opozitës ka lënë shumë për të dëshiruar për shkak edhe të handikapit që ka krijuar qenia jashtë Parlamentit e kryetarit të PS-së, Edi Rama. Një vakum i tillë ka bërë që shumë vendime të saj ose të jenë të gabuara, ose të shtyhen për t’u konsultuar me kreun e opozitës. Ndërsa në seanca plenare dështimi i opozitës ka qenë i dukshëm, në byronë parlamentare apo komisionet kuvendore, është vënë re më shumë një situatë bashkëpunuese dhe natyrisht më rezultative. Komisionet ad hoc, si ai reformës zgjedhore etj., mund të përmenden si suksese të arritura prej konsensusit dypalësh, mes të majtës dhe të djathtës parlamentare. Dhe në një kohë që plot ligje themeltare shumë të rëndësishme për të kaluarën dhe për të ardhmen siç është ligji për lustracionin, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë apo për kthimin dhe kompensimin e pronave, opozita ka mbajtur qëndrim destruktiv, bojkotues dhe përjashtues. Me gjithë këtë situatë të krijuar nga opozita e majtë që për 4 vjet i mungoi kryetari në sallën e Kuvendit, Parlamenti i kësaj legjislature i ka hapur rrugën reformave të rëndësishme, efekti i të cilave është konkretizuar në politikën e qeverisë shqiptare si në atë të brendshme ashtu dhe atë ndërkombëtare. Liderët kryesorë të botës erdhën në Shqipëri në kohë të ndryshe përgjatë këtij mandati 4-vjeçar, dhe asnjëri prej tyre nuk iku nga Tirana pa hyrë në sallën e Parlamentit. Nga ky institucion, Kryeministri italian Berlusconi, ai grek Karamanlis, Barroso, Frattini, etj., vlerësuan reformat e qeverisë dhe përcollën mesazhin e qartë se e ardhmja shqiptare i përket Perëndimit.

Konflikti pozitë-opozitë

Ligji i lustracionit, ai i pronave, dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, Kodi i ri Zgjedhor etj. janë ligjet që kanë ngjallur debatin më të madh politik mes pozitës dhe opozitës. Madje ligji i ri elektoral acaroi deri në “tërbim” disa nga partitë e vogla të majta, të cilat u ndien të përjashtuara nga vendimmarrja. Kjo gjë solli dhe skenën më të pazakontë në sallën e Parlamentit shqiptar, ku kreu i LSI-së shpërtheu deri në dhunë... Një situatë acaruese krijoi edhe ligji i hapjes së dosjeve, ku në Parlament nuk munguan as pseudonimet e tyre, duke trazuar në këtë mënyrë shumë politikanë, dikur të implikuar me regjimin diktatorial. Por në një kohë për plot ligje themeltare shumë të rëndësishme për të kaluarën dhe për të ardhmen siç është ligji për lustracionin, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë apo për kthimin dhe kompensimin e pronave, opozita ka mbajtur qëndrim destruktiv, bojkotues dhe përjashtues.

Ligjet më të rëndësishme

180. Ligj nr. 9600, datë 27.07.2006 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””.

164. Ligj nr. 9584, datë 17.07.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”.

223. Ligj nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”.

329. Ligj nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”.

436. Ligj nr. 9856, datë 26.12.2007 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.04.1995, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", të ndryshuar".

433. Ligj nr. 9853, datë 26.12.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”.

423. Ligj nr. 9843, datë 17.12.2007 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” të ndryshuar”.

412. Ligj nr. 9832, datë 12.11.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”.

411. Ligj nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”.

407. Ligj nr. 9827, datë 05.11.2007 “Për një shtesë në ligjin nr. 8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”.

398. Ligj nr. 9818, datë 22.10.2007 "Per miratimin e buxhetit faktik te shtetit te vitit 2006".

554. Ligji nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”.

549. Ligji nr. 9970, datë 24.07.2008 “Për barazinë gjinore në shoqëri”.

457. Ligj nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

613. Ligj nr. 10.034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”

604. Ligj nr. 10.025, datë 27.11.2008 “Për buxhetin e shtetit për vitin 2009”.

598. Ligj nr. 10.019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë". (Kthehet për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës).

637. Ligj nr. 10.058, datë 22.01.2009 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”.

636. Ligj nr. 10.057, datë 22.01.2009 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›