Zgjedhjet, sot PS prezanton programin
Gjatë kohës kur Kuvendi po miratonte raportin e komisionit hetimor, Kryetari i Partisë Socialiste ka vijuar me përgatitjet e fundit për Konferencën Kombëtare të Programit
TIRANË- Gjatë kohës kur Kuvendi po miratonte raportin e komisionit hetimor parlamentar për shqyrtimin e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar i qetë me përgatitjet e fundit për Konferencën Kombëtare të Programit, që pritet të mbahet sot në mesditë në Pallatin e Kongreseve.
"Nesër kurorëzojmë një proces të gjatë, të vështirë, interesant, plot episode emocionuese, plot mbresa të paharrueshme, në një dialog me shqipërinë, që na solli në programin e shkruar së bashku.
Duke prezantuar këtë program, ne nesër hapim edhe fletën e fundit të rrugëtimit tonë drejt 28 qershorit, fletë të cilën do ta shkruajmë edhe një herë tjetër së bashku me shqiptarët e shqiptaret, në një fushatë që do të jetë fushata e qytetarëve e qytetareve të këtij vendi, në qytet e fshat. Do të jetë fushata e njerëzve të ndershëm të këtij vendi, që duan një Shqipëri më të mirë.
Do të jetë fushata e gjithë atyre shqiptarëve e shqiptareve që jetojnë në Shqipëri apo jashtë saj, që janë bërë apo do të bëhen dita ditës pjesë e bashkimit tonë për ndryshim",- tha Rama.
Kryetari i PS-së theksoi se fushata e PS-së do të jetë e thjeshtë, ashtu si edhe rruga që kanë nisur. "Është hera e parë në historinë e këtyre 18 vjetëve, që një forcë politike e shkruan programin e saj bashkë me njerëzit.
Është hera e parë në këto 18 vjet, që qytetarët kanë dorën e tyre, idetë e tyre, kanë shpresat e tyre të shkruara në programin e një force politike.
Për herë të parë, më 28 qershor, do të fitojnë qytetarët, do të fitojnë njerëzit që dëshirojnë një ndryshim të madh, do të fitojnë fëmijët, që kanë nevojë për një arsimim shumë më cilësor, do të fitojnë të moshuarit, që kanë nevojë më tepër respekt e kujdes, do të fitojnë mësuesit, mjekët, sipërmarrësit, që do të shpëtojnë një herë e mirë nga zgjedha e pushtetit të radhës për arsyen e mosarsyes së radhës.
Është një histori e re, që po e shkruajmë dita-ditës, dhe që pa asnjë dyshim, është historia e përbashkët e atyre që 18 vjet më parë kërkuar një Shqipëri si gjithë Evropa, e sot pas 18 vjetësh e duan Shqipërinë si gjithë Evropa",- tha ai.