Berisha, Ramës: Po mbulon vjedhjet në bashki
“Rama, 2.5 milionë euro për tualetin e karrierës”
“As sallonet e Hollivudit s’e shpëtojnë nga rrënimi”
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, akuzon kryetarin e PS-së, Edi Rama, se për të mbuluar abuzimet e tij në bashki, po i sulet luftës antikorrupsion të qeverisë. Kundërpërgjigjja e tij ka ardhur pas sulmeve të Ramës në drejtim të tij për spotin publicitar antikorrupsion. Kjo, sipas Kryeministrit, është një luftë e pandershme e kryetarit socialist. Gjatë vizitës së djeshme në Librazhd, ku përuroi një sërë veprash publike, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Berisha iu kundërpërgjigj akuzave të PS-së ndaj spotit kundër korrupsionit. Berisha atakoi kryesocialistin Edi Rama të cilit i kujtoi se gjithë këtë kundërfushatë e bën për të mbuluar vjedhjet në bashki. “Njeriu që ka shpenzuar më shumë se 2.5 milionë euro për fushatë për të bërë tualetin e karrierës së tij të politike, as sallonet e Hollivudit nuk mund ta shpëtojnë dot nga rrënimi. Ai i sulet luftës që ne po bëjmë kundër korrupsionit dhe mobilizon tenderlëpirës dhe gjakbërës apo nënkryetarët e tij që pasi vjedhin financat e organizatës që drejtojnë, vjedhin edhe kompjuterin e financave sepse u del vila e vjedhur në shesh”, - tha z.Berisha. Kundrejt kësaj, Kryeministri i bëri të ditur se lufta kundër korrupsionit është beteja e jetës së tij. Duke e cilësuar si kryetar me korrespodencë të Bashkisë së Tiranës, Berisha tregoi arsyet se pse Rama po lufton betejën antikorrupsion. Para banorëve librazhdiotë Berisha iu drejtua kundërshtarit politik: “Zoti Rama lufta kundër korrupsionit është beteja e jetës sime! Asgjë nuk mund të bëj unë më shumë për njerëzit e lirë sesa t`i mbroj ata dhe të luftoj së bashku me ta korrupsionin. Lufta kundër korrupsionit u faktua në këto tre vjet se është leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë”. Sipas Berishës, lufta kundër korrupsionit do të jetë leva e Arkimedit për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar dhe modern. Kreu i qeverisë nuk nguroi t’i publikojë Ramës abuzimet me paratë e qytetarëve të Tiranës përmes vartësve të tij, ndërsa i bëri të qartë se po bën luftë të pandershme. Megjithatë, Kryeministri është i bindur në suksesin e luftës antaikorrupsion pasi kjo betejë nuk do të ketë mëshirë ndaj askujt. Para qytetarëve të Librazhdit, Berisha siguroi: “Bashkërisht duhet ta realizojmë këtë betejë kundër korrupsionit sepse do të kemi më shumë shkolla të reja, më shumë rrugë të reja, më shumë vende pune, më shumë të ardhura dhe do të bëhemi më shpejt të zhvilluar”. Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria nuk është më vendi që ishte tre vjet më parë, pasi ajo tashmë ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, po plotëson kushtet e MSA-së dhe po punon për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në mbarë Evropën.
Berisha: Po investoj edhe në bastionet e PS-së
Kryeministri Sali Berisha ka vendosur të mos bëjë dallime politike, por të investojë edhe në zonat bastion të PS-së. Një e tillë është dhe rrethi i Librazhdit ku z.Berisha inauguroi dje përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës së fshatit Rrajcë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 20 milionë lekë. Kryeministri garantoi kryetarin e komunës së Rrajcës se pavarësisht dallimeve politike, qeveria do të mbështesë çdo projekt të tij që synon lehtësimin e jetës së banorëve të kësaj komune. “Në qoftë se me kryetarin e komunës tuaj na ndajnë partitë, na bashkoni ju, na bashkon Rrajca, na bashkojnë interesat tuaja, ndaj unë ju premtoj se kjo rrugë që inauguruam do të vazhdojë deri në bashkimin me aksin kombëtar”, - u shpreh Kryeministri Berisha duke iu adresuar banorëve të Rrajcës. Kryeministri Berisha premtoi gjithashtu se së shpejti në këtë komunë do të ngrihet sistemi i vaditjes dhe i kërkoi kryetarit të komunës që të përgatisë projektin për këtë dhe qeveria do të japë paratë.
27 milionë lekë për ujësjellësin e Qukësit
Nga buxheti i saj, qeveria ka planifikuar 27 milionë lekë për ndërtimin e ujësjellësit të komunës së Qukësit në Librazhd. Kryeministri Berisha ishte dje në inaugurimin e përfundimit të punimeve të këtij ujësjellësi, teksa garantoi qeveritarët vendorë të Qukësit, se qeveria do të mbështesë çdo projekt për lehtësimin e kushteve të jetesës për banorët e zonës. Duke u ndalur në projektet për këtë zonë Kryeministri theksoi se për Qukësin u realizua projekti për asfaltimin e rrugës, ndërsa u kërkoi qeveritarëve vendorë që të paraqesin projekte të reja për zhvillimin e zonës.
Kryeministri shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë për të asfaltuar rrugët në të gjitha zonat ku ka fermerë dhe qytetarë shqiptarë. Gjithashtu Kryeministri tha se do të investohet edhe në kanalin vaditës të kësaj zone për t`u ardhur në ndihmë fermerëve për të rritur prodhimet e tyre. Berisha theksoi se qeveria është e angazhuar në një betejë të madhe në luftën kundër korrupsionit duke nënvizuar se asgjë nuk e dëmton lirinë dhe të ardhmen e qytetarëve më shumë sesa tirania dhe korrupsioni. Duke nënvizuar se lufta kundër korrupsionit ka krijuar mundësi të mëdha për investime të mëdha, Kryeministri ftoi qytetarët që të vazhdojnë mbështetjen për këtë betejë.