Gurakuqi: PDK-ja ime, kundër abortit
Partia Demokristiane, e krijuar nga Anton Gurakuqi pas ndarjes me Nard Ndokën, kryetarin e PDK-së, ka futur në programin e saj politik çështjen e ndalimit të abortit. Gurakuqi përshëndeti dje Kuvendin e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që emëroi Xhon Mekejnin si kandidat për President dhe Sara Pejllin, si kandidate për postin e zv.presidetit të SHBA-së, e cila mbështet fort ndalimin e aborteve. PDK-ja e Gurakuqit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, vlerëson se “aborti është një fenomen që duhet minimizuar, për të kaluar më tej në ndalimin e tij me ligj”. Me këtë rast, Gurakuqi, i cili vazhdon të mbajë postin e zv.ministrit të Jashtëm në qeverinë “Berisha”, i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë që të nisë kontrollet në të gjitha klinikat, shtetërore apo private, për të kontrolluar zbatimin e ligjit ekzistues, që lejon abortet, si dhe të vendosë në klinika afishe shpjeguese për pasojat që vijnë nga aborti. “Demokristianët shqiptarë do të ndërmarrin nisma sensibilizuese për të gjitha grupet e shoqërisë, sikundër do të kërkojnë deri në një referendum popullor për të miratuar një ligj për t’i dhënë fund abortit”, - shprehet ai në njoftimin e djeshëm.