Berisha, Ramës: Shqiptaret nuk te votojne
Protesta i ngjante marshit kinez të 67-ës
“Protestuesit më çuan sms që t’u flisja”
Kryeministri Sali Berisha nuk është ndier aspak i shqetësuar nga protesta e opozitës, teksa i ka bëri dje të qartë kreut të PS-së, Edi Rama, se nuk do të mund të ulet kurrë në karrigen e Kryeministrit. Kjo është bindja e Berishës, e bazuar në faktin se shqiptarët nuk do ta votojnë një njeri si ai, që bën politikë të mbushur plot me mashtrime dhe trillime. Ndaj dhe Kryeministrit, protesta e opozitës i ka ngjarë me marshimet e revolucionit kulturor kinez të 1967-ës, kurse kryetarët e partive të majta i krahasoi me figurën e Lej Fenit. “Me komplekset e tij, Rama është futur në muzeum, por nga muzeumi nuk bëhesh dot lider. Më çuan protestuesit sms që t’u flisja, por do më thoshin bën dhe qeverinë dhe opozitën”, - theksoi z. Berisha. Në kushte të tilla, Kryeministri i bëri thirrje kundërshtarit Edi Rama që të shkëputet nga e kaluara e errët dhe të pranojë realitetin duke lënë mënjanë teorinë e hurit të kuq. “Shqiptarët nuk njohin hurin e kuq, por dallohen për inteligjencë të shquar. Prandaj, mos u servir mashtrime e trillime përditë! Dil nga muzeumi dhe njihu me realitetin! Kjo është thirrja ime për kryetarin e opozitës. Për sa u përket protestave që vjen dhe bën para zyrës sime le të vijë dhe në zyrën time, por në karrige nuk ka shanse të ulet, sepse shqiptarët nuk e votojnë”, - tha z. Berisha. Kryeministri vuri në dukje se opozita, kryetari i saj ka bërë një zgjedhje fatale, zgjedhja e tij është unike në planet, ngujimi në muze. “Ti, - iu drejtua Berisha gjatë përurimit të 4 veprave dje në Durrës, - nuk mund të mburresh me lavdinë e të tjerëve, sepse lavdia e të tjerëve në fund të fundit është monolog me të shkuarën”. “Sado, - tha Berisha, - që të mund të fanepsin objektet muzeale, e ardhmja është krejtësisht dhe duhet të jetë e destinuar krejt tjetër”. “Mitingu i tyre më ktheu në vitin 1967, në revolucionin kulturor kinez, kur turmat demaskonin figurat politike. Të gjithë kryetarët ngjanin si Lej Fen. Opozita, kryetari i saj, ka bërë një zgjedhje fatale, zgjedhja e tij është unike në planet, ngujimi në muze”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri ironizoi më tej duke thënë: “E keni vënë re se si flet i shkëputur nga çdo realitet shqiptar? Sot unë deklaroj këtu dhe së bashku me ju inauguroj 15 km rrugë, pasdite do të dalë e do të thotë se nuk është e vërtetë dhe nuk u inauguruan. Deklarojmë se janë rritur rrogat e mësuesve me 75%. Nxjerr megafonët e tij të mashtrimit dhe thotë se kjo s`ka ndodhur kurrë. Po në qoftë se nuk ka ndodhur, më gjej një mësues të vetëm që të thotë se nuk ka ndodhur kjo”, - Këto deklarata, kreu i qeverisë i bëri në Durrës gjatë ceremonisë së përurimit të një rruge të përfunduar Katund i Ri- Bregu i Detit. Në vijim të turit të përurimit të disa veprave publike në komunën Katund i Ri në rrethin e Durrësit, Kryeministri Berisha u ndal në përurimin e përfundimit të punimeve në rrugën Sallmon-Katund i Ri, me gjatësi 5.1 km. Gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi me banorët e kësaj komune, Kryeministri Berisha theksoi se vetëm gjatë ditës së djeshme u përurua asfaltimi i 15 km rrugë, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë ndërtimi i rrugës Xhafzotaj-Fllakë që zgjatet deri në bregdet. Kryeministri shprehu dje angazhimin e qeverisë për të bërë çdo investim në mënyrë që t`u garantohet fermerëve në mbarë vendin një infrastrukturë e njëjtë me ato të zonave urbane.
Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se vetëm nëpërmjet grantit të Ministrisë së Brendshme këtë vit qeveria ka vendosur për rrugët e fshatrave të Shqipërisë, një fond 12 herë më shumë se në vitin 2004. Kryeministri veçoi faktin se vetëm brenda këtij viti janë ndërtuar 1600 km rrugë në zonat rurale. Berisha pohoi se “vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe prapë dua t`ju siguroj se i gjithë përqendrimi im maksimal është dhe do të mbetet në kushtet e jetës tuaj. Ne, - vijoi ai, - nuk mund të ndërtojmë shtëpi, ne nuk mund të punojmë tokën e askujt, por ne do të përpiqemi që të krijojmë kushte që qytetarët shqiptarë të ecin në rrugë të standardeve evropiane, njëlloj si qytetarët evropianë, do përpiqemi që të liberalizojmë vizat dhe të ecim kudo në Evropë si qytetarë të këtij kontinenti. Do përpiqemi që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla moderne, që fshatrat dhe qytetet tuaja të furnizohen me ujë, të keni pra ato standarde jetese që duhet të kenë qytetarët e një vendi të lirë dhe të zhvilluar”, - u shpreh z. Berisha.