LSI replikon me Ramën për flamujt
Vetëm një ditë pasi tentuan të tregonin bashkim para protestuesve Edi Rama dhe Ilir Meta u janë rikthyer replikave. Pasi Rama e akuzoi LSI-në për protagonizëm banderolash është kundërpërgjigjur Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili i cili tha se “Rama i shqetësuar jo për flamujt, por për thirrjet e forta të LSI-së kundër Berishës”. Dhe një herë tjetër ai e akuzoi për flirtim me kryeministrin ndërkohë që sipas Vasilit motoja e LSI-së është “Berisha të ikë sot, se nesër është vonë”. Ndërkohë që sipas Ramës “është një tallje me qytetarët sot që tu thuash se qëndrimi i PS-së nuk bën të mundur largimin sot të kryeministrit Sali Berisha, është një tallje e madhe për përfitime të vogla dhe për interesa personale në funksion të një lufte të vjetër për pushtet personal dhe klanor”. Më herët paradite kreu i LSI-së Ilir Meta e cilësoi dje protestën e opozitës si provë që qytetarët duan largimin e Kryeministrit Berisha “si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe pengesa kryesore për t’u anëtarësuar në BE”. Duke i falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në mitingun e opozitës, Meta u shpreh se është detyrë e opozitës që të bëjë gjithçka për të imponuar sa më shpejt dorëheqjen e Sali Berishës si Kryeministër dhe largimin e tij nga pushteti, si e vetmja mënyrë për të zhbllokuar krizën e thellë institucionale, në të cilën ndodhet vendi”. Sipas tij, qytetarët me pjesëmarrjen e tyre në shesh, treguan se nga Berisha nuk mund të pritet më shumë drejtësi dhe siguri. Ndryshe nga kreu socialist Edi Rama, Meta përsëriti dhe një herë se në protestë u kërkua largimi i menjëhershëm i Kryeministrit Sali Berisha.
"Falënderoj të gjithë qytetarët, të cilët morën pjesë në një manifestim tepër të rëndësishëm, ku kërkuan largimin e menjëhershëm të Kryeministrit Sali Berisha, si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe si pengesa kryesore midis shqiptarëve dhe aspiratës të tyre, për t’u bërë qytetarë të një vendi evropian", - deklaroi Meta. Më tej Meta tha se me Berishën Kryeministër nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe largimi i tij është detyrë e opozitës që të bëjë gjithçka për t’i imponuar sa më shpejt dorëheqjen dhe largimin nga pushteti. Sipas tij, kjo do të sillte zhbllokim të krizës së thellë institucionale në të cilën është vendi. "Qytetarët shqiptarë dëshmuan se me Berishën Kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ata i treguan të gjithë opozitës, se është detyrë e saj që të bëjë gjithçka për të imponuar sa më shpejt dorëheqjen e Sali Berishës si Kryeministër dhe largimin e tij nga pushteti, si e vetmja mënyrë për të zhbllokuar krizën e thellë institucionale, në të cilën ndodhet vendi", - u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta.