E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jo largim të Berishës para zgjedhjeve



Shigjeton Metën për banderolat e LSI-së në protestë

“Do ndryshojmë ligjin e prokurorisë”

Edi Rama nis të arsyetojë. Tashmë, luftë politike në Parlament dhe jo largim të Berishës deri në zgjedhjet e reja. Duke mbartur emocionet e protestës para selisë së qeverisë, kryesocialisti Edi Rama mendon të vijojë sulmin politik kundër Berishës, tashmë përmes institucionit të Parlamentit. Edi Rama e quajti abuzim të politikës së vjetër deklaratat për largim të Berishës para zgjedhjeve. Duke shigjetuar Ilir Metën dhe konfliktin e flamujve të dy partive në protestë, ai u shpreh: “U kërkojmë ndjesë atyre qytetarëve që Partia Socialiste i ftoi në një manifestim pa flamuj, pa slogane, pa banderola partiake dhe u bezdisën nga shfaqja e këtyre shprehjeve të vjetra të ambicies së pjesshme”. Ai është kundër edhe mocionit të mosbesimit per Kryeministrin Sali Berisha. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri dje të ditur se "PS-ja nuk synon largimin nga pushteti të Kryeministrit Sali Berisha me mocion mosbesimi, por vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme". "E vetmja mënyrë për të larguar Kryeministrin Berisha si dhe ndryshimin e maxhorancës, është pjesëmarrja në Parlament dhe hartimi i një kuadri ligjor për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, me të cilat jo vetëm do të mundim politikën e vjetër të Sali Berishës, por ajo çka është e rëndësishme, do të ndryshojmë Shqipërinë", - tha z. Rama. Në këtë mënyrë ai konfirmoi vijën politike të partisë se largimi i Berishës do të bëhet duke marrë pjesë në kuvend dhe jo jashtë saj. Rama insistoi se e vetmja mënyrë për largimin e Kryeministrit Berisha dhe ndryshimi i maxhorancës është pjesëmarrja në Parlament dhe hartimi i një kuadri ligjor për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Kryesocialisti Rama pohoi se me pjesëmarrjen në Parlament, Partia Socialiste do të imponojë ndryshimin e ligjit të prokurorisë, i cili “do ta çlirojë një herë mirë prokurorinë nga kthetrat e politikës dhe nga trysnitë e Sali Berishës, i cili është i dyshuari i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve për çka ndodhi në Gërdec dhe që i trembet drejtësisë dhe së vërtetës”. Edi Rama falënderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën e 19 shtatorit, pasi kërkoi falje për valëvitjen e flamujve të LSI-së gjatë protestës. “Skema e opozitës me një parti të madhe dhe disa grupime të vogla rreth saj duhet kapërcyer”, - tha Rama, ndërsa foli për një bashkim të madh të politikaneve në opozitë, me interesat e qytetareve. Sipas Ramës, deputetët socialistë në Parlament do të luftojnë me gjuhën e arsyes dhe do të synojnë dy ligje të rëndësishme. Bëhet fjalë për ligjin për prokurorinë dhe ligjin për reformën zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›