E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqetësim pajisja me letërnjoftime”

 

Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Eliot Engel, tha dje në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërkohë që ngriti si shqetësim pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Duke folur në përfundim të vizitës në vendin tonë, Engel tha se “mendoj se Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të drejta. Shqetësimi im i vetëm për zgjedhjet është çështja e kartave të identitetit. Me sa duket, ka shumë njerëz që ende nuk e kanë marrë kartën. Pata nderin të flisja në Parlamentin e Shqipërisë dhe thashë se ka shumë rëndësi që çdo person i cili dëshiron të votojë duhet të lejohet të votojë, prandaj partitë e ndryshme duhet të inkurajojnë njerëzit e tyre që të aplikojnë për kartat”. Sipas tij, “ka shqetësime se mund të mos jetë fizikisht e mundur që, në një kohë kaq të shkurtër, të gjithë të marrin kartat, por më thanë se ky nuk është problem. Problemi është se njerëzit duhet të aplikojnë. Megjithatë shpresoj se kjo do të bëhet dhe nuk do të jetë shqetësim, pra se cilido që dëshiron të votojë do ta marrë kartën”. Engel shprehu bindjen për vazhdimësinë e angazhimit amerikan për Ballkanin. Ai tha se Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, i njeh shumë mirë çështjet e Ballkanit, sidomos çështjet e shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›