Kriza, bie aktiviteti i biznesit
Fabiola Çela
Muajt e parë të vitit nuk kanë qenë të mbarë për biznesin. Gjatë 3-mujorit të parë të vitit aktiviteti i sektorit të ndërtimit dhe atij të shërbimeve kanë pësuar rënie. Edhe pse një ekonomi e vogël, Shqipëria nuk i ka shpëtuar dot efekteve negative të krizës globale. Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, rreth 74 për qind e bizneseve që kanë qenë pjesë e këtij vrojtimi janë shprehur se nuk kanë kryer investime në gjashtëmujorin e fundit. Por përveç kësaj rreth 55 për qind e bizneseve janë shprehur se kontratat porositëse në tremujorin e parë janë më të ulëta se normalja. Çka do të thotë se eksportet kanë rënë ndjeshëm.
Situata
“Treguesi i tendencës ekonomike (TTE) ra me 33 pikë përqindjeje në tremujorin e parë të vitit 2009, duke shënuar vlerën 67.5. Vlera aktuale e treguesit të tendencës ekonomike qëndron nën mesataren e tij historike. Rënia aktuale e TTE është më e theksuar se rënia në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, gjatë të cilit treguesi ra me 15 pikë përqindje, por duke mbetur gjithsesi afër vlerave të mesatares historike”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë. Rënia e treguesit të tendencës në tremujorin e parë reflekton keqësimin e pothuajse të gjithë treguesit përbërës të tij, me përjashtim të treguesve të besimit të konsumatorit, të cilët paraqiten në nivele të njëjta me tremujorin e mëparshëm. Bizneset kanë vlerësuar se aktiviteti në sektorin e shërbimeve dhe ai në sektorin e ndërtimit kanë pësuar rënien më të theksuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Sipas vrojtimit të BSH-së, Aktiviteti në sektorin e ndërtimit, bazuar në opinionet e bizneseve është vlerësuar në rënie në tremujorin e parë të vitit 2009. Treguesi që përmbledh aktivitetin në këtë sektor, treguesi i besimit në ndërtim (TBN), ra me 17.5 pikë përqindjeje. Në tremujorin e katërt të vitit 2008 TBN u rrit me 2 pikë përqindjeje. Vlera aktuale e TBN qëndron nën mesataren historike të tij. Rënia në këtë tregues u diktua nga vlerësimet negative të bizneseve ndërtuese për kërkesën, prodhimin dhe punësimin në këtë sektor. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2009, treguesi i besimit të shërbimeve (TBSH) ra me 15.8 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kjo rënie u shkaktua nga vlerësimi negativ për tre treguesit përbërës të tij: ecuria e përgjithshme ekonomike, situata e punësimit si dhe situata financiare. Vlera aktuale e TBSH qëndron nën mesataren e tij afatgjatë.
E ardhmja
Në vrojtimin e kryer nga Banka e Shqipërisë, pjesa më e madhe e biznesit janë shprehur se janë pesimistë për të ardhmen, çka do të thotë se gjendja do të vazhdojë të jetë e njëjtë me 3-mujorin e parë të vitit. “Pritjet për tregues të ndryshëm të aktivitetit të industrisë për tremujorin e dytë të vitit 2009 dhe për kryerjen e investimeve në gjashtëmujorin e ardhshëm mbeten negative. Pritjet për tremujorin e dytë paraqesin një panoramë të ngjashme me situatën aktuale, ku pjesa më e madhe e treguesve të aktivitetit pritet të keqësohen. Pritjet e firmave të sektorit të shërbimit për tremujorin e ardhshëm janë më pesimiste se vlerësimet e shprehura për tremujorin e parë 2009. Pritjet për gjendjen ekonomike dhe ecurinë e përgjithshme të biznesit gjatë T2-09 janë negative. Gjithashtu, në nivele negative qëndrojnë edhe pritjet për kërkesën dhe situatën e punësimit”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.
Treguesit
33 pikë përqindje ra treguesi i tendencës ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2009, duke shënuar vlerën 67.5 % 15 pikë përqindje ra treguesi i tendencës ekonomike në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. 17.5 pikë përqindje ra treguesi i besimit në ndërtim, gjatë 3-mujorit të parë të vitit. 2 pikë përqindje u rrit treguesi i besimit në ndërtim në tremujorin e katërt të vitit 2008 15.8 pikë përqindje ra treguesi i besimit të shërbimeve gjatë 3-mujorit të parë të vitit.