Meta: Do heqim tatimin mbi të ardhurat deri në 250 mijë lekë
Kreu i LSI-së takoi dje biznesmenë në tregun industrial të qytetit të Kavajës. Gjatë kësaj vizite Meta është takuar me tregtarë të shumtë, të cilët shprehën shqetësimin për rënien deri në 50 për qind të shitjeve të mallrave të tyre, krahasuar me një vit më parë. Gjatë takimeve dhe bashkëbisedimeve, tregtarë të shumtë i shprehën kreut të LSI-së shqetësimin dhe pamundësinë për të shlyer edhe detyrimet e tyre tatimore tepër të larta. Pasi vizitoi këtë treg, Meta deklaroi se “ajo që bie në sy gjatë gjithë këtyre takimeve dhe shkëmbimeve të mendimeve me tregtarë të ndryshëm është pikërisht rënia e ndjeshme e xhirove, sidomos në raport me një vit më parë, që shkon deri në 50 për qind sipas tyre”. “Rënia e fuqisë blerëse dhe rënia e ekonomisë tregon se është një krizë e përgjithshme dhe që është një krizë që ka prekur shumicën e popullsisë, sidomos atë me të ardhura më të pakta. Ndaj dhe ne kemi një plan konkret dhe të qartë për rigjallërimin e ekonomisë, ashtu sikurse kemi dhe një plan për të mbrojtur shtresat shoqërore me të ardhura më të pakta, duke bërë zero tatimin për të ardhurat deri në 250 mijë lekë si dhe njëkohësisht duke ndjekur politika të tjera fiskale lehtësuese, të cilat do të ndihmojnë edhe në rritjen e fuqisë blerëse në të ardhmen”, tha Meta. Kreu i LSI-së takoi gjithashtu dhe tregtarë të vegjël dhe të mesëm në tregun bujqësor të Kavajës. Pasi dëgjoi nga afër shqetësimin e tyre për mungesën e një tregu të mirëfilltë, ku ata të kenë mundësi për të shitur produktet e tyre ushqimore, por dhe rënien e fuqisë blerëse, Meta u shpreh se “LSI ka politikat e saj shumë të qarta për nxitjen e prodhimit bujqësor në vend dhe atë ushqimor dhe për krijimin e një zinxhiri agraro-industrial, i cili do të bëjë të mundur përmbysjen e raporteve katastrofike sot që janë në dëm të prodhimit vendas”.