E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Kartat, hile e PD dhe naivitet i PS

 

Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, akuzoi dje dy partitë e mëdha si përgjegjëse të dështimit të procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Sipas tij, “procesi për të marrë këtë kartë është një proces shumë i ndërlikuar, i bërë sigurisht me hile nga PD-ja dhe i pranuar me naivitet nga PS-ja”. “U bë një marrëveshje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ta bërë 200 lekë çmimin e kartave dhe doli një vendim qeverie, nr. 366, datë 15.04.2009, gjoja për ta lehtësuar këtë proces dhe për të ndihmuar qytetarët shqiptarë, të cilët nuk kanë mundësi financiare për të përballuar çmimin e lartë të kartës”, tha Prifti. Nënkryetari i LSI-së duke shprehur qëndrimin e kryesisë së kësaj partie tha se kjo marrëveshje e bën shumë të ndërlikuar këtë proces. “Ne deklarojmë sot se kjo marrëveshje e Partisë Socialiste me Partinë Demokratike, dhe ky vendim qeverie që ka dalë prej kësaj marrëveshje është e dështuar, sepse nuk po funksionon që qytetarët shqiptarë të pajisen me kartën e identitetit me çmimin 200 lekë. Procesi për të marrë këtë kartë është një proces shumë i ndërlikuar, i bërë sigurisht me hile nga Partia Demokratike dhe me naivitet nga Partia Socialiste, sepse që të marrësh me 200 lekë kartën e re të identitetit çdo shtetas duhet të paraqitet personalisht pranë zyrave të postës, pavarësisht moshës që kanë, punëve që kanë etj.”, tha Prifti. Sipas tij, këto procedura shkojnë mbi 20 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›