Berisha: Ramizi manipuloi vrasjen e Bashës më 2 korrik
adi shkembi
Ngjarjet e 2 korrikut 1990 rikthehen edhe njëherë, tani përmes fotografive, në një ekspozitë të hapur në Muzeun Kombëtar. Pasi pa nga afër momentet e fokusuara në aparatin fotografik, Kryeministri Sali Berisha tha në fjalën e tij se në këtë 20- vjetor një faleminderit duhet të shkojë për diplomatët e vendeve europiane, të cilat hapën dyert për qytetarët shqiptarë. "është një mirënjohje e madhe ndaj tyre, por mirënjohje e madhe edhe ndaj të gjithë misioneve diplomatike të asaj periudhe, të cilët hapën dyert e ambasadave të tyre, në një akt historik, për të ndihmuar shqiptarët, që ata të ecnin në rrugën e lirisë. Diplomatët gjermanë dhe diplomatët e vendeve të tjera mike, ditë e natë, atë dhjetëditësh të fundit të qershorit dhe fillim korriku, u bënë një me protestuesit, bënë çdo gjë për mbrojtjen e tyre, me dispaçet e tyre, i bënë të qartë botës të vërtetën e madhe të Tiranës së 2 korrikut", u shpreh kreu i Qeverisë. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se ngjarjet e asaj periudhe erdhën pasi qytetarët shqiptarë vendosën të ndjekin shembullin e qytetarëve gjermanë, të cilët më pak se një vit më parë kishin shembur murin e Berlinit, që ndante Gjermaninë Perëndimore nga ajo Lindore. "Ata u ngritën me një heroizëm dhe trimëri, e cila zgjoi një popull të tërë, por mesazhi i tyre pati një jehonë të gjerë europiane dhe botërore. Atyre që menduan se shqiptarët nuk do të mund të çlirohen për shkak të indoktinimit të tyre të thellë, varfërisë dhe mjerimit që dobëson më shumë se çdo gjë tjetër qenien njerëzore, gulakëve të panumërta në vendin e tyre, djemtë e vajzat, të rinjtë e Tiranës, më 2 korrik, u dhanë mesazhin tjetër, ne jemi këtu për t'u bashkuar me ju", vijoi më tej Kryeministri. Axhenda e ditës së djeshme të Berishës iu dedikua vetëm ngjarjeve të 2 korrikut. Më herët, ai bëri një vizitë në familjen e Artin Bashës, i cili humbi jetën, teksa më 2 korrik '90, përpiqej të hynte në Ambasadën Gjermane. Sipas Berishës, vrasja e të riut ishte një akt kriminal dhe u pasua nga një tentativë e regjimit të kohës, për ta manipuluar këtë ngjarje. "Vrasja e tij në muret e ambasadave ishte një akt kriminal i shëmtuar, por po kaq e shëmtuar ishte përpjekja e diktatorit dhe sejmenëve të tij për të manipuluar, për të fajësuar ambasadën gjermane për vdekjen e tij, e cila në të vërtetë e dërgoi atë në spital që në minutat e para, pas plagosjes dhe nuk e mbajti ditë të tëra, siç u përpoq diktatori Ramiz Alia ta paraqesë atë, në mbledhjen e intelektualëve", u shpreh Kryeministri. Në të njëjtën kohë Berisha, pas vizitës në ekspozitën e hapur në Muzeun Historik Kombëtar, e cila ishte një bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit Europian të Tiranës, priti në zyrën e tij një grup qytetarësh, të cilët më 2 korrik kaluan murin e ambasadave të huaja në Tiranë. "Në fund të takimit, ata i dhuruan Kryeministrit Berisha, në shenjë simbolike, fotografinë dhe dokumentin e Edgar Junior çanit, djalit i cili festoi 1 vjetorin brenda mureve të Ambasadës Italiane dhe që sot në vitet e demokracisë dhe lirisë është një futbollist i talentuar në Itali", thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.