E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA përzgjedh ambasadorin që do zëvendësojë Uidhërsin



Alexander Arvizu do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, pas përfundimit të mandatit të Xhon Uidhërs. Lajmin e bën të ditur "Zëri i Amerikës", i cili thekson se Presidenti Obama e ka bërë tashmë përzgjedhjen e tij për Shqipërinë. Arvizu është diplomat karriere i Shërbimit të Huaj, në rangun e këshilltarit ministror. Aktualisht, ai është drejtor i zyrës së zhvillimit të karrierës dhe pozitave në Departamentin amerikan të Shtetit. Më parë ka qenë zv/Ndihmës Sekretar në Zyrën e çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit. Sipas raportit të "Zërit të Amerikës", Arvizu ka qenë gjithashtu Zëvendës Shef Misioni në Bankok të Tailandës dhe në Pnom Pen të Kamboxhias. Ai ka shërbyer edhe në vende të tjera, si Koreja e Jugut dhe Japonia. Këtu në Uashington, ai ka punuar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Në CV e tij thuhet se ka lindur në një bazë ushtarake amerikane në Japoni dhe është rritur në Kolorado. Ai ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin Georgetoën. Prej tre vjetësh, në vendin tonë detyrën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka kryer Xhon Uidhërs, i cili erdhi në Shqipëri në verën e vitit 2007. Diplomati amerikan ka qenë mjaft aktiv në zgjidhjen e krizave të herëpashershme në politikën shqiptare. Uidhërs është takuar disa herë me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, për të sheshuar qëndrimet politike diametralisht të kundërta të palëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›