Blendi Fevziu, një dokumentar për 2 korrikun e ambasadave
Imazhe të pa shfaqura më parë, që hedhin dritë mbi një nga ngjarjet që do të bënin kthesën e fuqishme në historinë e Shqipërisë. çfarë ndodhi para dhe pas 2 korrikut të vitit 1990, kur mijëra shqiptarë u dyndën në dyert e ambasadave të huaja në Tiranë? Në praninë e Kryeministrit Sali Berisha, politikanë e intelektualë, u shfaq dje në Kinema "Millenium" një dokumentar kushtuar 20-vjetorit të "ngjarjes së ambasadave". Një dokumentar i përgatitur nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu, i cili pas kërkimesh në arkivat e ish-Ministrisë së Brendshme dhe burime të tjera të asaj kohe, sillte një material të ngjeshur dokumentar mbi të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Pamje filmike të pashfaqura më parë, që tregonin jo vetëm dyndjen në ambasada, që nga ajo gjermane, italiane, franceze, deri tek kineze e algjeriane, por edhe raporte të organeve përkatëse që mbulonin këtë çështje, pamje të mbledhjeve të Byrosë së Komitetit Qendror, fjalime të drejtuesve të kohës, etj. Të gjitha këtyre shtuar edhe dëshmitë e disa prej protagonistëve të ngjarjes, mes të cilëve edhe drejtuesi i Skodës që shpërtheu murin e Ambasadës Gjermane. Pamje që ofrojnë disa këndvështrime mbi ngjarjen e 2 korrikut dhe që ngrenë shumë pyetje mbi veprime të drejtuesve të shtetit shqiptar të asaj kohe. Ndoshta shumë përse do të marrin përgjigje me kohën, ajo çka është e sigurt dhe pas 20 vitesh mund të thuhet me plot gojën, është se 2 korriku i vitit 1990 shënoi krisjen vendimtare të diktaturës komuniste.