E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha niset drejt Brukselit për të takuar Baroson

Kryeministri Sali Berisha është nisur dje në mbrëmje drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e Partive Popullore Evropiane të Djathta. Gjatë vizitës së tij, Kryeministri Berisha pritet që të zhvillojë një takim edhe me kreun e Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso. Zyra e shtypit në Kryeministri konfirmon vizitën e Kryeministrit në Bruksel. Po dje, deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht zv/President i Asamblesë Parlamentare të Komisionit Evropian, si dhe zv/President i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në KE, Aleksandër Biberaj, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Politik të KE, punimet e së cilës nisën dje në Paris. Realiteti i ri politik në Ballkan, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është dhe çështja e parë e diskutimeve, në rendin e ditës së sotme të punimeve të kësaj mbledhjeje. Në lidhje me këtë çështje, duke marrë fjalën, Biberaj ka falënderuar vendet anëtare të BE-së dhe KE-së, të cilat kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, ai u ka bërë thirrje vendeve të tjera, që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, për një njohje sa më të shpejtë.

Në fjalën e tij, z. Biberaj ka përsëritur argumentin se Kosova është rast unik dhe nuk mund të përdoret si precedent në asnjë rast tjetër. Po ashtu, ai ka theksuar se pavarësia e Kosovës mbyll edhe kapitullin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe se Kosova e pavarur po i shërben paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Më tej, Biberaj ka përshëndetur Kuvendin, qeverinë dhe popullin e Kosovës për menaxhimin e shkëlqyer që po i bëjnë situatës së re të pavarësisë dhe njëkohësisht i ka bërë thirrje pakicës serbe, të përshtatet me realitetin e ri politik në Kosovë dhe të zërë vendet në Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës. Zoti Biberaj ka shprehur bindjen se shumë shpejt Kosova do të jetë vendi i 48-të i Këshillit të Evropës.

Ndërkohë, çështjet kryesore që do të diskutohen në këtë takim janë edhe situata politike në Evropë, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja në Serbi, progresi i bërë nga vendet, të cilat janë nën monitorimin e KE-së, si dhe situata e demokracive të reja në Evropë. Në këtë mbledhje u diskutua gjithashtu edhe situata në Lindjen e Mesme, për të cilën janë ftuar të marrin pjesë dhe paraqitur opinionet e tyre deputetë të Parlamentit izraelit dhe atij palestinez. Çështje tjetër që pritet të diskutohet është dhe situata politike në Bjellorusi. Në takim janë ftuar drejtues të Parlamentit të Kazakistanit, vend i cili ka aplikuar për statusin e observerit në Këshillin e Evropës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›