Zgjedhjet e Hanit hapin polemika te Kombëtarja
JETMIR HALILAJ
Pak ditë më parë deklaroi se nuk do të bënte shumë ndryshime në mi-qësoren kundër Azerbajxhanit më 19 nëntor në Baku, por gjithsesi, në listën e lojtarëve që ka përzgjedhur tekniku Ari Han për këtë ndeshje, nuk mungojnë surprizat. Trajneri ka vendosur të lërë jashtë Hamdi Salihin dhe Edmond Kapllanin në repartin e sulmit, për t'i dhënë një shans Xhevahir Sukajt si dhe për të provuar Besart Berishën e Elis Bakajn.
Ndryshimet
E çuditshme dëshira e trajnerit për të grumbulluar tre portierë në një ndeshje miqësore. Ai ka vendosur të ftojë Arjan Beqajn, Isli Hidin dhe të riun Samir Ujkani, duke lënë jashtë, Ilion Likën. Beqaj ka pësuar një dëmtim kundër Interit dhe media qipriote ka bërë të ditur se do të mungojë për dy javë, ndaj është në dyshim për ndeshjen me Kombëtaren. Në mbrojtje gjithashtu ka ndryshime, pasi trajneri nuk ka preferuar të grumbullojë Andi Lilën, ish-mbrojtësin e Shpresave, që padyshim ka të dhëna shumë të mira. Pjesë e gardës së repartit të tërhequr janë Dallku, Curri, Vangjeli, Beqiri, Teli dhe Vrapi. Ky i fundit bëri një paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen kundër Portugalisë dhe ka fituar "biletën" për një shans tjetër në përfaqësuese. Në mesfushë nuk mungojnë senatorët Lala, Cana e Skela, të cilët pritet të luajnë minimalisht nga një pjesë loje kundër Azerbajxhanit. Reparti i mesfushës kompletohet nga Duro, Bulku, Agolli dhe Gilman Lika. Mesfushori që luan te Haxhetepe, cilësohet si një alternativë në repartin qendror të skuadrës kuqezi dhe përveçse është një lojtar tepër punëtor dhe me vizion për lojën, arrin të përshtatet mjaft mirë në role të ndryshme. Lika mund të luajë fare mirë si në krahun e majtë, ashtu edhe në qendër të mesfushës. 22-vjeçari mund të luajë si mesfushor i avancuar, por edhe i vendosur para mbrojtjes. Aktualisht ai po luan si titullar te skuadra turke, madje ka shënuar edhe një gol. Bie në sy mungesa e Jahmir Hykës, mesfushorit të talentuar, i cili duket se po vuan mosaktivizimin te skuadra gjermane e Mainz 05. Në repartin e sulmit nuk mungon Erjon Bogdani, i cili në miqësoren kundër Lihteshtejnit në gusht u la jashtë. Megjithatë, Ari Han ka menduar për surpriza të tjera. Ai ka lënë jashtë Salihin dhe Kapllanin, dy sulmuesit, që cilësohen si e ardhmja e Shqipërisë.
Ndoshta teknikut holandez nuk i pëlqen fakti që të dy këta lojtarë kanë luajtur shumë pak me ekipet e tyre. Ndërkaq, Besart Berisha është i grumbulluar, ashtu si edhe Elis Bakaj e Xhevahir Sukaj. Ari Han ndërkohë ka vendosur të mos e grumbullojë qendërmbrojtësin e Bohumit, Mër-gim Mavraj.