E Diel, 1 Nëntor 2026

Erë nafte nga Marinza në Galerinë Kombëtare të Arteve

 

Në hapësirën ku për vite janë ekspozuar patriarkët e pikturës shqiptare, veprat që ekspozohen sot në Galerinë Kombëtare të Arteve, duken tërësisht ndryshe. Aq më tepër kur bëhet fjalë për piktura e vizatime të realizuara me naftë. "MARINZ", titullohet projekti i artistit Eltjon Valle, që ka marrë pikënisjen nga një zonë naftëmbajtëse afër Fierit, që shtrihet në një sipërfaqe prej 32 km². Emri i projektit dhe i ekspozitës është motivuar nga vendndodhja e vetë projektit, Patos-Marinza, nga ku artisti ka marrë një masë dheu, të përzierë me naftë. Ekspozita përfshin instalacione-video, foto, piktura e vizatime me naftë, skulptura etj., të kuruara nga italiani Francesco Poli dhe drejtori i GKA-së, Rubens Shima. Qëllimi i ekspozitës është shumëplanësh. Është artistik, por edhe social. Nga këndvështrimi artistik, është një nxitje drejt gjetjeve të reja, drejt materialeve jotradicionale, që i ndeshim përditë, që i kemi të domosdoshme, por që nuk mund t'i përfytyrojmë të ngritura në art. Eltjon Valle zgjedh naftën, lëndë e një rëndësie të veçantë, burim energjie, baza ekonomike e shumë vendeve në botë, por edhe "mollë sherri" dhe zanafilla e shumë tensioneve politike dhe luftërave, sidomos në Lindjen e Mesme. Shfrytëzimi i naftës si bazë për një projekt artistik ishte një sfidë për Eltjon Vallen, i cili për këtë qëllim ka bërë edhe një vëzhgim në terren. Përpos fuqisë që ka nafta, ai e ka parë këtë temë edhe nën vështrimin ekologjik. Artisti ka bashkëpunuar me kompaninë që vepron në këtë zonë naftëmbajtëse, për të bërë një verifikim të zonës, ku ngrihen qindra puse. Kështu që në një farë mënyre, ajo ka edhe vlerë dokumentare. Puna e tij është një lloj sensibilizimi, për të mbrojtur këtë zonë me një rrezik të lartë ekologjik dhe për të ndërmarrë projekte konkrete, për shpëtimin e saj nga një degradim i plotë. Nuk do të mjaftojnë fotografitë dhe videot. Valle do të sjellë edhe vetë erën e naftës, duke bërë që publiku të imagjinojë për pak, se çdo të thotë të jetosh pranë një zone të tillë. Në qendër të sallës, ku është vendosur ekspozita, në Galerinë Kombëtare të Arteve, krahas pikturave, të realizuara, jo më me bojëra vaji, por me mbetje të naftës, do ët vendosë edhe kubikë toke nga zona e Marinzës. Pritet që kjo ekspozitë të ketë një impakt të fuqishëm në publik, për mbrojtjen e mjedisit.                                      A. Mile

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›