Një javë modë në Tiranë
Stil dhe tendencë. Java e Modës "Albania Fashion Week", Pranverë -Verë 2009, një nga aktivitetet më të rëndësishëm të modës në Shqipëri, nis sot në Tiranë. Sipas presidentes së Dhomës Kombëtare të Modës Shqiptare, Diana Cekodhima, në këtë aktivitet do të shprehen tendencat e modës shqiptare të koordinuara me ato botërore dhe për herë të parë në këto tre vite të organizimit të këtij aktiviteti, do të marrin pjesë stilistë të huaj. Stilistët shqiptarë, pjesëmarrës në këtë ngjarje janë Jona Muça, Mirela Cici, Rezarta Skifteri, Anila Konomi, Mimi Memiaj, etj. Ndër stilistët e huaj janë Fevzie Çamer nga Turqia, "HAAD" dhe "Bellissima" nga Bosnje-Hercegovina, "Agatha Ruiz dela Prada" nga Spanja, "Andria" Greqi, "Charles Svingholm", Angli, etj. Mësohet se Java e Modës Shqiptare do të transmetohet në kanalin televiziv më të madh të modës "Fashion TV" dhe në "World Fashion Channel", të cilët do të bëjnë të mundur dhe promovimin e modës shqiptare dhe kulturës së saj në mbarë botën. Ky aktivitet do të zhvillohet në ambientet e hotel "Sheraton", deri në datën 11 nëntor.