Berisha: Raporti vlerësues për Shqipërinë, inkurajim i madh
Deklarata e djeshme e kryediplomatëve të BE-së dhe përgatitja e një raporti vlerësues për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është konsideruar nga kreu i qeverisë shqiptare një vlerësim i madh për Tiranën zyrtare. Gjatë konferencës së djeshme para mediave, kryeministri Berisha përshëndeti takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian se deklaratën e tyre se Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë të ketë një perspektivë të qartë të anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh. Gjatë konferencës për shtyp Berisha tha se Komisioni Evropian mori vendim që të përgatisë një vlerësim lidhur me përgatitjet e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe ky raport do të jetë gati deri në vjeshtë. "Kjo deklaratë,- tha Berisha,- është një inkurajim i madh për Qeverinë, sepse procesi i integrimit është përparësi e të gjitha përparësive." Berisha ka deklaruar se mandati i tij i dytë është mandati i Shqipërisë europiane.
Pas Italisë, edhe Austria në mbështetje të Shqipërisë
BRUKSEL - Pas Italisë fqinje, edhe Austria ka dalë në mbështetje të përshpejtimit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger këmbënguli dje, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian se Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë të ketë një perspektivë të qartë të anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh. Pas një analizimi të procedurave të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në fund të muajit të kaluar, Komisioni Evropian duhet të udhëzohet që të përgatisë një vlerësim lidhur me përgatitjet e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ky raport mund të jetë gati deri në vjeshtë. Kryediplomati austriak, Spindelegger theksoi gjatë takimit të shefave evropianë të diplomacisë në Bruksel, se përveç Austrisë, edhe shumë vende të tjera anëtare janë shprehur në favor të një perspektive konkrete për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi gjithashtu se negociatat e anëtarësimit të Kroacisë duhet të rifillojnë menjëherë. "Nuk duhet të krijojmë përshtypjen se po mbyllet ura për Kroacinë", tha ai. Pak ditë më parë, një deklaratë të ngjashme bëri edhe kryediplomati italian, dhe ish-Komisionari europian për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, zoti Franko Fratini. Ai akuzoi burokratët e Brukselit që po mbajnë në sirtarë dosjen e Shqipërisë.
Britania e Madhe dhe Holanda bllokojnë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së
Britania e Madhe dhe Holanda mund të bllokojnë, apo ngadalësojnë afrimin dhe hyrjen e Islandës në Bashkimin Evropian, njoftoi sot BBC-ja, duke cituar burime diplomatike në Londër dhe Bruksel. Kohë më parë, Komisioni Evropian kishte paralajmëruar se ishulli i Atlantikut të Veriut, do të mund të pranohej në bllokun 27-anëtarësh pas një "procedure të përshpejtuar" dhe me një perspektivë të tillë pajtohen shumica e vendeve anëtare. Megjithatë, qeveria britanike dhe ajo holandeze këmbëngulin që Rejkjaviku duhet të japë më parë shpjegime lidhur me atë se si qeveria islandeze mendon të zgjidhë çështjen e kursimeve të papaguara të shtetasve britanikë dhe holandezë në bankat e falimentuara islandeze. Komisioni Evropian në Bruksel, pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, duhet të sqarohet lidhur me kërkesën e qeverisë së Rejkjavikut, e cila ka kërkuar pranimin e vendit në BE. Nëse ekzekutivi evropian vlerëson që Islanda është e përgatitur për marrjen e statusit të vendit kandidat, pritet së shpejti që ky vend të fillojë edhe negociatat e anëtarësimit me BE-në. Por, dje BBC thekson se hyrja në BE e Islandës mund të sjellë frustracione tek shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat po presin përshpejtimin e procesit të integrimit.
28 Korrik 2009