Standardet e zgjedhjeve rrezikojnë integrimin e Shqipërisë në BE
Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë, standardet e zgjedhjeve pritet të përcaktojnë ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë. Por, kritikat e lëshuara nga misioni monitorues i OSBE/ODIHR-it, apo edhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe zvarritjet e shumta gjatë procesit të numërimit të votave, pritet që të reflektohen në qëndrime konkrete të Brukselit zyrtar. Edhe ankimimet dhe apelimet patën kontestime të mëdha, deri në presione nga ana e partive politike. Vetëm tri ditë më parë gazeta Albania zbuloi denoncimet që kanë bërë në Ambasadën Amerikane në Tiranë dy nga anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Ata kanë deklaruar se kanë pasur presione nga strukturat e qeverisë gjatë marrjes së vendimeve. Një fakt i tillë është pohuar edhe nga PS-ja e cila, tha se vendimet e Kolegjit janë marrë në kushte presioni. Socialistët në opozitë kanë konsideruar ilegjitime rezultatet edhe për shkak të politizimit të tejskajshëm të KQZ-së. Socialistët kontestuan rezultatet në zonat zgjedhore të Fierit, Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Por, vetëm në Fier fituan mandatin që kërkonin, ndërsa pretendimet për mandate në zonat e tjera u rrëzuan nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor.
28 Korrik 2009