E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takon krerët e PS-së në rrethe, i falënderon për fushatën



Një ditë përpara zhvillimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve të PS-së në bashkitë dhe komunat kryesore të vendit. Takimi ka qenë informal dhe është zhvilluar jashtë vëmendjes së medias. Kreu i PS-së ka ftuar drejtuesit lokal socialist në një koktej, që është zhvilluar në ambientet e restorant “Xibrakut” në periferi të Tiranës. Të pranishëm në këtë takim ka qenë edhe pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit si dhe deputetët e sapozgjedhur. Takimi mes kryetareve ka qenë i shkurtë edhe pse vëmendja e socialisteve është përqendruar mbi mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare. Burime bën të ditur se edhe kryetari i PS-së Edi Rama nuk është zgjatur në fjalën që ai ka mbajtur në këtë takim. Rama ka falenderuar të gjithë të pranishmit për kontributin që ata kanë dhënë në fushatën elektorale dhe procesin zgjedhor të 28 qershorit, ku padyshim ai nuk ka nguruar të vërë theksin në faktin se PS-ja ka rezultuar forca më e votuar nga shqiptarët. Pas takimit, kryesocialisti Edi Rama nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat, ndërkohë që janë prononcuar disa prej kryetarëve të PS-së në rrethe të ndryshme të vendit. Ata kanë deklaruar se janë ftuar në këtë takim nga kreu i PS-së Edi Rama, i cili u ka shprehur falenderimet për angazhimin e strukturave në fushatën elektorale. Një pjesë e mirë e tyre nuk ka nguruar të shprehin mbështetje ndaj kryesocialistit Edi Rama, duke deklaruar se ai nuk duhet të japi dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Socialiste, ndërkohë që gjithashtu ka patur edhe drejtues lokalë, të cilët kanë kërkuar respektimin e statutit të Partisë Socialiste.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›