E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama gënjeu diplomatët e huaj për parregullsitë në zgjedhje



Partia Demokratike akuzon kreun e Partisë Socialiste Edi Rama se ka gënjyer kancelaritë diplomatike dhe shqiptarët, kur deklaroi se dispononte kaseta filmike, të cilat sipas tij provonin parregullsitë e ndodhura në procesin zgjedhor, kryesisht në qarkun e Beratit. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi tha se Rama ka bërë akuza të kota, kur ka deklaruar se PS-së po i grabiteshin mandatet në qarkun e Beratit, ndërkohë që sipas Patozit gjithçka ka qenë konform ligjit. “PS i ka kërkuar KQZ-së që ti vërë në dispozicion kasetat filmike të Beratit dhe ky i fundit i është përgjigjur me shumë korrektesë. Pasi ka marrë disa prej tyre deri më datën 10 korrik ku nuk ka gjetur asnjë fije ku të kapej, pasi gjithçka ka qenë konform ligjit, Rama ka hequr dorë dhe nuk i ka dërguar më njerëzit e tij për të tërhequr kasetat e tjera. Një politikan normal ku shpresa e tij nuk mund të prodhohen minimumi që mund të bënte do të ishte ndërprerja e akuzave dhe sulmeve për institucionet. Ai vijoi me më shumë forcë të thërrasë për mandate të grabitura, si dhe të mbushë përfaqësi diplomatike me thashethemin se gjoja disponon pamje filmike me probleme të zgjedhjeve në Berat. Këto fakte të reja që ne publikojnë sot tregojnë qartë se fushata e tij e pareshtur e shpifjeve pazgjedhure është thjeshtë justifikimi i dëshpëruar i fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia për humbjen e PS-së nga këto zgjedhje”- u shpreh Patozi. Sipas një letërkëmbimi që Patozi ka paraqitur për mediat rezulton se Partia Socialiste i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i vërë në dispozicion kasetat filmike të zgjedhjeve të 28 qershorit në Berat. Sipas letërkëmbimit Komision Qendror i Zgjedhjeve rezulton se më datën 17 korrik i ka kërkuar PS-së për ti marrë këto kaseta, pasi sipas shkresës rezulton se nuk është paraqitur askush nga Partia Socialiste për t’i tërhequr ato.

Pikat e rezolutës

Partia Socialiste i konsideron zgjedhjet e 28 qershorit të parregullta dhe të manipuluara

Partia Socialiste nuk njeh rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe rrjedhimisht nuk njeh legjitimitetin e parlamentit dhe qeverisë së re

Partia Socialiste angazhohet për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme si e vetmja mundësi për rikthimin e legjitimitetit të parlamentit

Partia Socialiste nëpërmjet grupit të saj parlamentar do të jetë e pranishme në Kuvend, për të kërkuar hetimin e masakrës zgjedhore të 28 qershorit

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›