E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet rezoluta e Asamblesë, PS do të kërkojë zgjedhje të parakohshme

Selia rozë nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve, parlamentin dhe qeverinë. PS-ja do të jetë në parlament, por do të kërkojë hetimin për manipulimet e ndodhura

Shaban Sulçe
Konsiderimi i zgjedhjeve të 28 qershorit si të parregullta dhe të manipuluara, mosnjohja e rezultatit zgjedhor, parlamentit dhe qeverisë së re si dhe angazhimi për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme do të jenë pikat kryesore të rezolutës, e cila pritet të diskutohet dhe të miratohet në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Një ditë përpara zhvillimit të kësaj mbledhje, janë zbuluar pikat kryesore të rezolutës, e cila është hartuar nga një grup anëtarësh të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Në këtë rezolutë theksohet se Partia Socialiste do të jetë e pranishme në Kuvendin e ri, por qëllimi i pjesëmarrjes së saj në Kuvend do të jetë angazhimi për hetimin e parregullsive dhe manipulimeve që ndodhën në 28 qershor.

Asambleja
160 anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste do të marrin pjesë në mbledhjen e sotme, e cila është thirrur disa ditë më parë nga kreu i kësaj partie Edi Rama. Në epiqendër të punimeve të kësaj mbledhje do të jetë analizimi i rezultatit zgjedhor të 28 qershorit, por edhe i parregullsive dhe manipulimeve që shoqëruan këtë proces. Pikërisht për të denoncuar këto manipulime Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pritet të miratojë një rezolutë, në të cilën zgjedhjet e 28 qershorit do të cilësohen të parregullta dhe për këtë shkak Partia Socialiste nuk do të njoh rezultatin zgjedhor, parlamentin dhe qeverinë e re. Në mbledhjen e sotme pritet të ketë debate të ashpra, pasi mjaft zyrtarë dhe deputetë kanë deklaruar ditët e fundit se Partia Socialiste duhet të pranojë me qetësi faktin se ajo i ka humbur zgjedhjet e 28n qershorit dhe se parregullsitë e ndodhura nuk kanë ndikuar në deformimin e rezultatit. Gjithashtu në mbledhjen e sotme, pritet të diskutohet në lidhje edhe me vendimin që duhet të marri kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, nëse do të vazhdojë të jetë në krye të saj ose jo, nisur nga fakti se Partia Socialiste nuk ishte fituesja e këtyre zgjedhjeve.

Zërat kundër

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, në zyrat e grupit kuvendor janë mbledhur një pjesë e deputetëve dhe ish-deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët përveçse kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës kanë kundërshtuar edhe qëndrimin e Partisë Socialiste për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetët Blushi dhe Malaj, Stefa, Hoxha, Sherifi dhe funksionarë të tjerë të lartë të PS-së kanë zhvilluar dje një takim kokë më kokë, pa praninë e mediave, ku kanë analizuar situatën dhe kanë koordinuar qëndrimet që pritet të mbajnë në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Sipas tyre Partia Socialiste duhet të pranojë humbjen e zgjedhjeve, duhet të njoh rezultatin, duhet të jetë e pranishme në Kuvend dhe duhet të angazhohet forcërisht që të rikthejë sa më parë Partinë Socialiste në pushtet.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›