Berisha: Raportin do ta shndërrojmë në program pune
Komisioni Evropian i bën thirrje Shqipërisë që në 2009-ën të zhvillojë zgjedhje të lira përmes një pakete të re zgjedhore dhe të intensifikojë edhe më tej luftën antikrim dhe antikorrupsion. Vetëm nëse përmbushen këto kushte, KE-ja mund të propozojë që të hiqen detyrimet e vizave gjatë vitit 2009. Helmut Lohan, ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, i dorëzoi dje Kryeministrit shqiptar progres-raportin për Shqipërinë. Në raportin prej 55 faqesh theksohet se problem për Shqipërinë mbetet lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore, por vlerësohen përmirësimet që janë bërë nga ana e qeverisë në këto drejtime. KE-ja merr në konsideratë realizimin e reformave nga qeveria shqiptare nga 1 tetor 2007 deri më 1 tetor 2008. Sipas z. Lohan, strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian thekson se ecuria përpara e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të përshpejtohet, por në qoftë se këto vende plotësojnë kushtet e nevojshme. “Kjo, - vuri ai në dukje, - do të thotë që vendet potencialisht kandidate për Bashkimin Evropian, pra këto vende që demonstrojnë gatishmërinë e tyre, mund të arrin statusin e vendeve kandidate. Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian thotë se në qoftë se vendet e Ballkanit Perëndimor arrin të përmbushin disa kushte të caktuara, sigurisht që kjo do të shihet për secilin prej vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë Komisioni Evropian mund të propozojë që të hiqen detyrimet e vizave gjatë vitit 2009”, - u shpreh ambasadori Lohan. Nga ana tjetër, KE-ja përmes këtij raporti bën thirrje që qeveria të ketë kujdes zgjedhjet e 2009-ës. Lohan: “Progresi në Shqipëri, si gota përgjysmë”. Kryeministri Berisha: “Raporti shumë objektiv, do të jetë programi ynë për të punuar në të ardhmen”. Në progres-raportin voluminoz me 50 faqe detajohet të gjitha arritjet dhe problemet që ka shteti shqiptar në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Në konferencën e përbashkët për shtyp mes Kryeministrit Berisha dhe ambasadorit të KE-së, Lohan, ky i fundit vlerësoi se ka pasur ecuri për sa i përket konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Raporti i KE-së bën thirrje që qeveria shqiptare duhet të bëjë kujdes me zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Zgjedhjet parlamentare duhet të përgatiten siç duhet dhe të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Përfundimi i reformës zgjedhore do të kërkojë adaptimin e një kodi elektoral gjithë përfshirës i cili do të lejojë zgjedhjet të lira dhe të ndershme, prioriteti kryesor për ortakërinë me BE-në”. Për sa i përket luftës kundër korrupsionit Lohan tha: “Vihet re se ka pasur përmirësim të perceptimit nga qytetarët dhe përmirësim të luftës ndaj këtij fenomeni. Kjo është dhe arsyeja pse në progres-raport nuk përdoret e njëjta terminologji që është përdorur më parë”. Por, gjithsesi, lufta kundër krimit mbetet problem. Lidhur me politikat ekonomike z. Lohan pohoi se ekonomia ka pasur rritje dhe ka mundur të mbajë nën kontroll inflacionin. Është vënë re progres në fushën e privatizimit dhe përmirësime të tjera në fushën e biznesit. “Në të ardhmen duhet të ketë reforma të konsiderueshme që ekonomia shqiptare të përballet me normat që kërkon tregu i BE-së”. Vetë Kryeministri Berisha e vlerësoi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2008 si mjaft objektiv: “Raporti përbën një hartë rruge shumë të qartë në çdo kërkesë që shtron dhe vlerësim që bën në procesin e integrimit”. “Shqipëria do ta shndërrojë atë në një program pune dhe në një program elektoral, duke plotësuar të gjitha kërkesat e këtij progres raporti”, - tha z. Berisha pak pasi mori në dorëzim progres-raportin nga shefi i delegacionit të KE-së në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan. “E gjithë përpjekja jonë për kriteret e demokracisë është njohur dhe vlerësuar në mënyrë më objektive. I siguroj KE-së se nuk do të kemi të ndalur në reforma që do të bëjnë institucionet më të pavarura si rruga e vetme drejt konsolidimit të demokracisë”, - tha Berisha. Progres-raporti i KE-së për Shqipërinë ndahet në tri pjesë, ku përfshihen kriteret politike, ekonomike dhe standardet evropiane.