Rama në BBC: PS-ja do të dalë e vetme në zgjedhje
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka bërë të qartë se PS-ja do të kandidojë e vetme në zgjedhje. Ai nuk ka bërë të qartë nëse do të ketë një koalicion të krijuar nga PS-ja ku mund të përfshihet PSD-ja e Gjinushit dhe ndonjë parti tjetër, por ka theksuar se PS-ja do të kërkojë votat për programin e saj qeverisës. Në një intervistë për BBC-në gjatë qëndrimit në Londër ai nuk ka preferuar t’i kthehet me të njëjtin ton Ilir Metës për akuzat që ai i ka bërë si tradhtar. “Nuk bëhet fjalë as për përçarje dhe as për krahasime me të shkuarën, bëhet fjalë për vizione të ndryshme, për rrugë të ndryshme, për sjellje të ndryshme. Ne duam që politika e vjetër e sherreve, e konflikteve, sharjeve, fyerjeve, përbaltjes për interesat e kryetarëve, t'ia lërë vendin një politike të re të dialogut, të dëgjimit reciprok, të lindjes dhe realizimit të ideve të reja në një hapësirë qytetarësh”, - tha ai. Ndërkohë, duke sqaruar daljen në zgjedhje, ai theksoi se “të gjitha partitë do të votohen më vete, qofshin të majta apo të djathta, të qenit në koalicion nuk do të thotë që do të ketë një votë të përbashkët. Votat do të jenë të përveçme dhe qofshin në koalicion apo jo, do të kërkojmë votën për Partinë Socialiste, për programin e saj, për një mënyrë të re për ta qeverisur Shqipërinë dhe votuesit të zgjedhin atë parti që u garanton më shumë ndryshimin, më shumë lidhjen mes fjalës dhe veprës, u garanton më shumë të sotmen dhe të nesërmen, për veten dhe fëmijët e tyre”.