E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Gul: Bashkëpunimi mes dy vendeve, me dimensione të reja

Kryeministri Berisha zhvilloi sot, në Stamboll, një takim me Presidentin e Turqisë Abdullah Gul. Në takim u shpreh besimi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të njohë dimensione të reja në shumë fusha, si në atë të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, të turizmit, arsimit, në sektorin bankar etj.. Në veçanti në fushën e turizmit, u vlerësua se kompani të rëndësishme turke do të sillnin një kontribut të madh me investimet e tyre, të cilat do të ishin padyshim një histori suksesi për ta dhe për Shqipërinë, duke marrë në konsideratë bukuritë natyrore dhe potencialet e jashtëzakonshme që Shqipëria ofron në këtë sektor.

Duke u ndalur në takimin e Detit të Zi, Kryeministri Berisha vlerësoi vizionin e madh të ish Presidentit Turgut Ozal, për inicimin e forumit të bashkëpunimit rajonal. "Në këtë kontekst, ka ardhur koha që vendet e rajonit të fokusohen në ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme që do t’i lidhin më ngushtë dhe do të japin një nxitje të madhe në tregtinë e shkëmbimet e tjera mes vendeve e popujve të këtij rajoni. BSEC mund të japë një ndihmë shumë të madhe në këtë drejtim" shtoi Berisha.

Presidenti Gül ndau të njëjtin mendim se ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme që do të lidhin vendet e rajonit është dhe mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Korridori 8 u vlerësua si projekti kyç për forcimin e lehtësimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Gjithashtu në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›