Eksportet e majit arrijnë shifra rekord, përmirësohet bilanci tregtar
Raporti për muajin maj: 19,3 miliardë lekë mallra të eksportuara, 7.5 për qind më shumë se muaji prill. Rriten eksportet me 20 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Mineralet dhe industria e fasonit, në krye të listës së eksporteve
Produktet shqiptare “Made in Albania” dominojnë tregjet evropiane, ndërsa njohin rritje të vazhdueshme. Edhe muaji Maj i këtij viti ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të eksporteve shqiptare drejt tregjeve rajonale apo edhe në gjerë evropiane.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në muajin Maj u eksportuan 19.3 miliardë lekë mallra, me rritje 7.5 për qind në krahasim me Prill 2012 dhe rritje me 19.9 për qind në krahasim me Majin e vitit 2011. Ky përmirësim bëri që për herë të parë gjatë këtij viti, të dhënat progresive të eksporteve të rezultojnë me rritje vjetore. Për pesë muajt e parë të vitit, nga Shqipëria u eksportuan 82.7 miliardë lekë mallra, me një rritje prej 0.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Grupi me kontributin kryesor në rritjen e eksporteve gjatë këtij viti është “Minerale, lëndë djegëse, energji”.
Eksportet e këtij grupi janë rritur me 16 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që rezultojnë si grupi me peshën më të lartë dhe përbëjnë 34 për qind të totalit. Grupi “Tekstile dhe këpucë” ka zbritur në vendin e dytë dhe zë 31 për qind të totalit të eksporteve. Ndërkohë që eksportet duken në rimëkëmbje, importet vazhdojnë të bien.
Për muajin Maj, vlera e importeve ishte 3.3 për qind më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por me një rritje me 11,5 për qind krahasuar me muajin prill të këtij viti. Defiçiti tregtar ka shënuar një rritje prej 14.8 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 15.8 për qind krahasuar me Maj 2011.
Tregtia me vendet e BE rezulton në 64.8 për qind dhe partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi janë rritur, janë për eksportin, Austri, Greqi, Gjermani, Kosovë, Turqi, etj, dhe për importin, Austri, Greqi, Gjermani, Itali dhe Kosovë.