Idrizi: “Drejtësi për Çamërinë - motoja e kësaj jave”
Java e Kulturës dhe Historisë së Çamërisë
Tirana u zgjua dje me parullën “Unë e Dua Çamërinë”, si pjesë e atmosferës festive për Javën e Kulturës dhe të Historisë së Çamërisë. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të qëndroj gjatë gjithë javës i dekoruar me banderolat “I Love Çamëria” (Unë e Dua Çamërinë) dhe me flamuj shqiptar, ndërkohë që në Sheshin “Skënderbej” dhe në sheshin “Nënë Tereza” janë vendosur dy monumente –shkronja tredimensionale- me parullën “I Love Çamëria”.
Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka deklaruar se pas një beteje të gjatë të qarqeve antishqiptare, çështja çame është më e fortë se kurrë dhe se e ka fituar luftën me kohën.
Idrizi tha se “Drejtësi për Çamërinë” është motoja e kësaj jave. Kreu i forcës politike që mbron interesat e popullsisë shqiptare të Çamërisë ka deklaruar se asgjë nuk është më e rëndësishme se çështja çame. “Këtë vit ne e kemi nxjerrë Javën Çame nga sallat e mbyllura të konsumit të brendshëm në sheshet kryesore të vendit. 100 vite më parë, në sheshet e Tiranës, banorët e qytetit kishin dalë për të protestuar lënien jashtë trungut të shtetit shqiptar, të Kosovës dhe të Çamërisë. 70 vjet më parë, në këto sheshe kishin protestuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë që u dëbuan gjatë Traktatit të Lozanës. 68 vjet më parë, pritën refugjatët, bashkëkombësit e tyre nga Çamëria, që u dëbuan me anë të një nga gjenocidet më të ashpra. Sot, ne bashkohemi të gjithë, për të përkujtuar martirët e Çamërisë. Kjo javë është e të gjithë shqiptarëve, se Çamëria është e të gjithë shqiptarëve. Ne mund të themi me bindje se çështja çame është sot më e fortë se kurrë, e ka fituar betejën me kohën dhe jemi më të vendosur se kurrë të çojmë deri në fund kauzën çame”, u shpreh Idrizi. Aktivitetet për Javën e Kulturës dhe të Historisë së Çamërisë këtë vit janë zhvendosur nga sallat e mbyllura në sheshet kryesore të kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera të vendit. Kështu, në gjashtë pika në kryeqytet do të shfaqen në mjedis të hapur materiale filmike, dokumentare, dëshmi të të mbijetuarve nga gjenocidi dhe muzikë e traditë çame përgjatë gjithë javës.
Java Çame do të shoqërohet nga një sërë aktivitetesh, duke nisur nga dita e nesërme për të kulmuar në marshimin e përvitshëm çam në Qafë-Botë.
Këtë vit, lajtmotivi do të jetë ditën e shtunë, në Kllogjer të Sarandës, ku më shumë se 3000 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën e nuk u lejuan të kishin as një gur mbi varr. Aty do të nis ndërtimi i një varreze monumentale për t’i nderuar dhe për të kujtuar atë gjenocidin mbi shqiptarët e Çamërisë.