Arrest shtëpie pedagogut që u kap me studenten në hotel
Gjykata: Nuk ka prova të mjaftueshme për pedagogun e Pediatrisë, Robert Roda, që e akuzojnë të ketë kryer marrëdhënie seksuale me studenten
Me gjithë pretendimet e akuzës dhe provave të siguruara nga policia, për Gjykatën e Rrethit të Korçës nuk ka prova të mjaftueshme që pedagogu i Pediatrisë, Robert Roda, që e akuzojnë të ketë kryer marrëdhënie seksuale me studenten e tij. Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues pasi ka shqyrtuar të gjitha materialet në dispozicion të vëna nga prokuroria, ka vendosur që pedagogu Roda të qëndrojë me arrest shtëpie, duke u paraqitur sa herë të jetë e nevojshme për hetimin. Ndërkohë, nga të dhëna të organit të akuzës korçare mësohet se prokurori i çështjes i ka paraqitur prova të mjaftueshme gjykatës se 46-vjeçari kishte shpërdoruar detyrën, duke përfituar nga lënda që ai jepte, për të bërë presion ndaj studentëve. Por, duket se një gjë e tillë nuk ka bindur trupin gjykues, i cili në fund të seancës ka dhënë dhe vendimin përfundimtar, arrest shtëpie me detyrim paraqitjeje. Nga ana e tij, mësohet se pedagogu i Pediatrisë të ketë mohuar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me studenten apo të kishte detyruar ndonjë tjetër për dhënie lekësh në favor të dhënies së provimeve.
Hetimet për 46-vjeçarin Robert Roda do të fillonin kur policia do të vihej në dijeni prej disa kohësh nga studentët korçarë që studionin për Pediatri në Fakultetin “Fan Noli”. Këta të fundit janë ankuar se lënda u bëhej më e vështirë se ç’ishte, ndërkohë që nuk kanë munguar dhe dyshimet se pedagogu i lëndës, 46-vjeçari Robert Rado, do t’u kërkonte ryshfet për t’u dhënë provimet. Por me sa duket, ky i fundit jo pa qëllim ka përcjellë një qëndrim të tillë tek studentët, kur me sa duket veç këtyre, synimi i tij shkonte edhe më larg. Ndërkohë, agjentët e policisë gjatë kësaj kohe kanë marrë udhëzimet për të mbajtur nën mbikëqyrje pedagogun dhe për këtë, bashkëpunimi ka vazhduar edhe me studentët apo studentet, për të qenë në korrent të çdo lloj abuzimi të mundshëm.
Derisa një informacion i katër ditëve më parë nga një studente 19-vjeçare, emri i së cilës nuk është bërë i ditur për arsye hetimore, ka alarmuar policinë e Korçës.
Nga të dhënat e kësaj të fundit, mësohet se studentja ka denoncuar se në formë presioni, pedagogu i ka kërkuar në këmbim të dhënies së provimit të takohen veçmas.
Për të verifikuar të dhënat e së resë, specialistët e Sektorit të Krimit në Policinë e Korçës janë vënë në lëvizje dhe përgjatë ditës kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e tyre. Finalizimi i operacionit ka ardhur rreth orës 15:00 të së mërkurës, dhe sipas të dhënave zyrtare të policisë, është bërë e ditur se Rado është kapur duke kryer marrëdhënie seksuale me studenten e tij në një nga hotelet e qytetit. Arrestimi ka qenë i menjëhershëm, ndërkohë që pedagogu është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Korçës për t’u marrë në pyetje.
Sipas të dhënave të policisë pas operacionit, gjithçka është bërë duke shpërdoruar detyrën dhe përmes korrupsionit pasiv, kundrejt kalimit të lëndës që ai jepte. Ndërkohë, policia tha se pedagogu akuzohet për “kryerje të marrëdhënieve seksuale, duke shpërdoruar detyrën”, “shpërdorim të detyrës”, si dhe “korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike”.