E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca Fqinjet e Shqiperise Berisha lirohuni nga fobia antishqiptare

Toka ku shqiptarët jetojnë në të gjithë rajonin nuk ka të bëjë me Shqipërinë e Madhe, por me Shqipërinë normale, zhvillimi i integruar i së cilës, jo vetëm që nuk përbën asnjë kërcënim për vendet e rajonit, por i bën ato përfituese në qëllimin e përbashkët integrimin euroatlantik. Ky është thelbi i konferencës dy ditore që po mbahet në Tiranë “Fqinjët e Shqipërisë, ku fakti i kufizimit të saj me shqiptarë, ndonëse në shtete të tjera i jep kësaj fqinjësie kuptimin e lagjes shqiptare. Nga një komb që ka vuajtur për një shekull dhimbjet më të mëdha, përcarjen më të thellë, diktaturën më të egër, kryeministrit Berisha thekson se duhet të jetë nëj komb që superon ndasitë e tij. Ka ardhur koha deklaroi ai që vendet e tjera të rajonit të çlirohen nga fobia ndaj shqiptarëve.
“Nëse duan të ardhme të përbashkët duhet të çlirohen nga frika e tyre në interes të shqiptarëve dhe kombeve të tyre. Shqipëria mbetet e angazhuar për bashkëpunim të ngushtë tërësisht shqiptar e rajonal dhe se ky bashkëpunim është kusht për integrimin në BE”.

Luis: “Shqipëria e madhe”, asnjë kërcënim nga ky nocion
Kryeministri vuri theksin tek bashkëpunimi dhe ndërtimi i projekteve të përbashkëta shqiptare të cilat në fakt do të jenë dhe rajonale në aspektin e përfitimit të gjerë. Dhe në këtë linjë është edhe David Luis, organizator i këtij aktiviteti si drejtor i programit për paqen në Institutin e të drejtave të njeriut në universitetin e Kolumbias. Ai është mbështetës i krijimit të lagjes shqiptare në rajon duke shpjeguar këtë si një nocion që nuk përbën asnjë kërcënim.
“Tani nuk jemi më në shekullin e 19-të. Jemi në shekullin e 21-të, ku territori apo kufijtë nuk janë më aq domethënës. Integrimi kombëtar i shqiptarëve, që disa e thërrasin “Shqipëria e madhe”, është në fakt një Shqipëri normale, ku shqiptarët të jenë bashkë, të ndajnë vizionin e tyre për të ardhmen dhe të gjejnë rrugë praktike për bashkëpunim. Nuk ka asnjë kërcënim nga ky nocion, pasi ka një rezultat gjerësisht të parashikueshëm të zhvillimeve politike dhe sociale në këtë rajon dhe, siç tha dhe zoti kryeministër: një Shqipëri e fortë dhe udhëheqja shqiptare në këtë territor është në interes të të gjitha shteteve në këtë rajon. Ajo çfarë nënkuptoj kur them fqinjët e Shqipërisë është një territor, ku jetojnë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi, Greqia dhe Serbia, dhe ky është më shumë se një nocion fizik, është një destinacion ku shqiptarët të dajnë vlerat e përbashkëta, ëndrrat e përbashkëta. Shqiptarët ashtu si amerikanët janë një popull optimist dhe që shohin nga e ardhmja”- u shpreh Luis.

Basha: Tirana do shndërrohet në qendër të rajonit
Organizator i konferencës është edhe Instituti i studimeve bashkëkohore dhe qendra për studime strategjike e ndërkombëtare, mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe Fondi Rokfeller Brodhers. Për kryebashkiakun Basha, kjo është dekada ku Tirana ka ambicien e fortë që të zhvillohet, për t’u shndërruar në qendër të rajonit.

Conly: Koha që të rinovohet axhenda e zgjerimit
Heather Conly, përfaqësuesja e Qendrës për studime strategjike ndërkombëtare, theksoi se tashmë është koha që Brukseli dhe Uashingtoni të rinovojnë axhendën e zgjerimit, që të rinovohen energjitë intelektuale dhe angazhimi për shndërrimin e kësaj axhendë në realitet. Është koha thekson ajo që rajoni të përtërijë qëllimin e tij duke u fokusuar në axhendën e reformave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›