E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Reformë në 11 kolonat e biznesit, rrisim konkurrueshmërinë

TIRANË- Kryeministri Berisha në mbledhje të Task Forcës për biznesin deklaroi se qeveria do të rishikojë në mënyrë përfundimtare reformën për “klimën e biznesit në të 11 kolonat e saj” . 

Vendimi erdhi pas konsultave me përfaqësues të fushës dhe do të ketë si qëllim me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë. 

“Në kërkesat e tyre, kërkohet një thjeshtim i burokracive, rritje e mëtejshme të transparencës së procedurave. Mendime pro e kundër u dhanë lidhur me çmimet e referencës, si dhe pati mendime përsa i përket përmirësimit të mëtejshëm të sistemit fiskal, evitimit të parapagimit në rastet më të mundshme, heqjen e TVSh-së për makineritë, eliminimi i çdo lloj barriere dhe reference në tregtinë me Kosovën, thjeshtimin procedurave për mbylljen e biznesit dhe një seri mendimesh të tjera, të cilat i gjykoj të dobishme”, -deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha vlerësoi të drejtë, gjithashtu propozimin e dalë nga tryeza me biznesin për funksionimin e përbashkët të Këshillit të Biznesit dhe Këshillit të Punës, si Këshilli Kombëtar i Biznesit dhe Çështjeve Sociale. 

“Unë e gjej këtë një propozim shumë të drejtë, sepse tregu i punës, fleksibiliteti e standardi i tij janë të pashkëputura nga klima e biznesit. Ndaj t’i marrim edhe një herë me radhë e t’i shqyrtojmë një nga një kolonat, duke u përpjekur në ambicien më të mirë, për të kapur standardet më të mira që ekzistojnë në këtë aspekt”,- theksoi Berisha.

VENDIMET KRYESORE TË TASK FORCËS
1. Heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit;
2. Krijimi i një Këshilli të vetëm Kombëtar të Biznesit dhe Punës që zëvendëson Këshillin Kombëtar të Biznesit dhe Këshillin Kombëtar të Punës. Ky propozim i biznesit u gjet i drejtë dhe i përshtatshëm për momentin aktual të zhvillimit të ekonomisë dhe për të lehtësuar dhe bërë më fleksibël e transparent dialogimin midis biznesit, institucioneve shtetërore dhe palëve të tjera të interesuara. Një Këshill i tillë është i domosdoshëm, për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu më modern e fleksibël të punës;
3. Për të rritur më tepër transparencën e prokurimeve publike, siç u kërkua edhe nga biznesi gjatë takimit me Kryeministrin, u vendos që të publikohen, krahas informacionin mbi garuesit, ofertat etj., edhe lista e kompanive që kanë marrë pjesë në tender dhe që kanë fituar, çdo gjashtë muaj. Gjithashtu, Komisioni i shqyrtimit të ankesave të publikojë në ëeb edhe mendimin e pakicës në marrjen e vendimit.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›