Berisha: Respektoj opozitarët, por do negocioj me PS-në
Kryeministri Sali Berisha distancohet nga greva e urisë së deputetëve të PDK-së dhe LSI-së, duke pohuar se nuk përzihet në punët e brendshme të opozitës. Z. Berisha bëri të qartë se pavarësisht grevës, mazhoranca do të vazhdojë negociatat me partinë kryesore opozitare lidhur me reformën zgjedhore. “Pavarësisht nga respekti i përgjithshëm që ushqej për të gjithë opozitën, unë jam i detyruar, në çdo rrethanë, të negocioj, para së gjithash dhe i kushtëzuar, me partinë kryesore të opozitës, sepse ky është rregulli dhe kështu ka qenë edhe kur unë isha në opozitë”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri nënvizoi se "mazhoranca në mënyrë shumë të prerë nuk do të hyjë në probleme të brendshme të opozitës". Z. Berisha pohoi më tej se respekton mendimin e çdo njeriu, por personalisht do të negocioj me partinë kryesore të opozitës. Të njëjtin qëndrim shprehu dje edhe kryerja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh: “Është zgjedhje e tyre dhe unë do e respektoj”. 11 deputete të LSI-së dhe PDK janë në futur në grevë urie që prej mbrëmjes së të hënës si protestë ndaj Kodit Zgjedhor, i cili është në hapat e fundit të hartimit të tij nga dy partitë kryesore, PD dhe PS. Heqja e mundësisë për të pasur një anëtar në komisionin zgjedhor ishte edhe pjesa kryesore që i shtyu dy partitë, LSI e PDK, për të ndërmarre hapin ekstrem të grevës së urisë.