E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rikthimi i Berluskonit, shpresë për bërthamorët

Ndërkombëtarët vlerësojnë idenë e Kryeministrit Berisha për ndërtimin e Centralit Bërthamor në Shqipëri. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Sergjan Kerim, shprehet se "kur flasim për ndryshimet klimaterike, në këtë rast kemi të bëjmë me ruajtjen e ambientit, por kjo nuk do të thotë se ruajtja e ambientit do të pengojë zhvillimin ekonomik të një vendi". Kerim vlerëson se e drejta për zhvillim ekonomik është një e drejtë e vendeve në zhvillim, siç është edhe Shqipëria. "Kështu që çdo lloj burimi energjie që Shqipëria vendos të zhvillojë, që mund të jetë energji diellore, energjia e erës, energjia nukleare etj., është një vendimi më se i drejtë. Ne duhet ta mbështesim së bashku dhe jo ta luftojmë atë", tha ai.

Pyetjes se a do të jetë ky projekt një investim italian, apo dhe qeveria shqiptare do të marrë pjesë në këtë investim, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin tim. "Kanë qenë gjithnjë dy opsione. Opsioni që të bisedoj me qeveritë e vendeve fqinje dhe ta ndërmarrim së bashku këtë projekt. Në këtë rast, qeveria është e gatshme të marrë pjesë me buxhetin e saj", tha Berisha. Nëse ky bashkëpunim do të mungojë, atëherë, Kryeministri Berisha ka pranuar se do të bashkëpunojë me kompanitë private. "Rikthimi i mikut tim, Berluskoni, në pushtet në Itali ka rikthyer edhe qëndrimin pro nuklear. Dhe unë mirëpres çdo bashkëpunim me qeverinë italiane në këtë fushë. Në rast se qeveritë nuk janë të interesuara, qeveria shqiptare nuk mendoj se do ta ndërmarrë me buxhetin e saj iniciativën për ndërtimin e termocentralit nuklear, por do t‘i hapë dritën jeshile sektorit privat, për të ndërtuar një të tillë në standardet më të mira. Ky është qëndrimi im", tha Berisha. Qeveria shqiptare ka hyrë në negociata me qeverinë italiane për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri. Shqipëria ka marrë përfundimisht mbështetjen e OKB-së për të siguruar energji alternative në ndihmë të zhvillimit ekonomik, qoftë kjo edhe energji bërthamore. Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Sergjan Kerim, duke folur përkrah Kryeministrit Berisha, i cili ka hedhur së fundi idenë e ndërtimit të një centrali bërthamor, tha se është në të drejtën e shteteve në zhvillim ekonomie si Shqipëria për të pasur energjinë e nevojshme për të përshpejtuar ritmet e tyre. E ndërsa Kryeministri ka rikonfirmuar edhe njëherë vullnetin e tij për ta çuar më parë këtë projekt ambicioz, duke bashkëpunuar me fqinjët përtej detit. E ndërsa OKB mbështet nismën e Shqipërisë për centralin bërthamor, ambicia e Kryeministrit Berisha për ndërtimin e një centrali në Shqipëri vazhdon edhe shtohet më tej.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›