E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi sjell ambasadorin e ri

Mal i Zi sjell ambasadorin e saj të ri në Tiranë. Kryeministri Berisha ka pritur dje në mesditë ambasadorin e Malit të Zi Zhelko Peroviç, me rastin e fillimit të detyrës në Shqipëri. Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen ambasadorit Peroviç, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve. "Dy vendet tona, kanë një bashkëpunim shumë të mirë si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh", tha Berisha. Dy palët u shprehën për intensifikimin e mëtejshëm të kontakteve në nivelet më të larta politike. Ambasadori Peroviç e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit të Malit të Zi Milo Djukanoviç. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe ambasadori Peroviç shprehën angazhimin e dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit për finalizimin e infrastrukturës së rëndësishme rrugore që lidh dy vendet. Në këtë kuadër, ata vlerësuan shumë të rëndësishme mirëfunksionimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes dy vendeve, në Murriqan. Gjithashtu, ata shprehën angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit edhe në fushën e turizmit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›