Nis hetimi i dytë ndaj Bollanos
Vendimet e Bashkisë së Himarës janë bërë objekt i hetimit edhe nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit. Kreu i këtij institucioni, Ermir Dobjani, deklaroi dje se ka nisur shqyrtimi i çështjes së pasaportizimeve në Himarë, që janë bllokuar nga kryetari i bashkisë, Vasil Bollano. Një muaj më parë, Avokati i Popullit kërkoi nga gazeta "Shqip" informacion për çështjen e pasaportizimeve që u denoncua nga gazeta në muajin tetor të vitit 2006. Në atë kohë, gazeta solli dëshmi të qytetarëve dhe dokumente që vërtetonin se kryetari i Bashkisë së Himarës pengonte transferimin e gjendjes civile nga qytetet dhe fshatrat e tjera drejt Himarës, duke kërkuar dokumente që nuk parashikohen në ligj. Dje, Dobjani konfirmoi se në bazë të informacioneve të dhëna nga gazeta ka nisur shqyrtimi i çështjes, e cila do të jetë objekt debati edhe gjatë një takimi që do të zhvillohet në qershor në Himarë, në kuadër të "Ditëve të Hapura". Avokati i Popullit kërkoi dje ndihmën e mediave për të vërtetuar me emra konkretë ankesat për diskriminim nëpërmjet mosregjistrimit në zyrën e gjendjes civile. "Në qoftë se keni adresa dhe individë, të na drejtohen konkretisht që ta verifikojmë këtë çështje dhe të dalim me një mendim të pjekur dhe objektiv. Kushdo që e ndien veten të diskriminuar nga Bashkia e Himarës për këtë çështje të na drejtohet dhe për këtë kërkoj edhe bashkëpunimin tuaj", tha Dobjani, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për çështjen. Sipas jabanxhinjve të Himarës, problemi i pasaportizimeve është rrjedhojë e një politike antishqiptare që ndiqet nga administrata e PBDNJ-së në qytetin bregdetar. Të gjithë personat, të cilëve u është refuzuar transferimi i gjendjes civile në Himarë janë jo-ortodoksë dhe jogreqishtfolës. Ata jetojnë në Himarë prej vitesh, kryesisht në banesa me qira, por bashkia u kërkon që përveç kontratave të qirasë të paraqesin vërtetime hipotekore për banesat ku jetojnë, gjë që është e pamundur. Në tetor të vitit 2006, kur kjo praktikë e Bashkisë së Himarës u denoncua nga gazeta "Shqip", drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Gjendjes Civile i asaj kohe deklaroi se kjo bashki kishte shkelur hapur ligjin. Në Himarë u dërguan në atë kohë grupe inspektimi nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe nga Prefektura e Vlorës, por çuditërisht zyrtarët nuk gjetën shkelje, edhe pse gazeta vuri në dispozicion dokumentet e nënshkruara nga Bollano për refuzimin e kërkesave për pasaportizim. Askush nga institucionet shtetërore nuk kontaktoi me personat që ankoheshin për padrejtësi, edhe pse këta persona kishin emra, mbiemra dhe fotografi. Vetëm tani, kur kanë kaluar më shumë se dy vjet nga denoncimi publik i gazetës "Shqip", çështja është marrë në shqyrtim nga Avokati i Popullit, të cilit i janë vënë tashmë në dispozicion edhe emra konkretë të personave, të cilët janë diskriminuar në Himarë. Nëse ankesat e tyre rezultojnë të vërteta, Bollano do të duhet të përballet me një tjetër padi për shpërdorim detyre.
Padia, pas skandalit të publikuar në "Shqip"
Prokurori Malaj: Dënimi më i lehtë, burgu
Nëse Prokuroria e Vlorës arrin të vërtetojë akuzën e ngritur ndaj kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, dënimi më i lehtë që mund të japë gjykata është burgu. Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj, sqaroi dje për gazetën "Shqip" se Kodi Penal, i ndryshuar në vitin 2007 nuk parashikon dënim më të lehtë se burgimi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, për të cilën akuzohet Bollano. Prokurori pranon se akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës u ngrit pas publikimit në media të lajmit për shkuljen me urdhër të tij të tabelave kulturore-turistike nga aksi i rrugës kombëtare Palasë-Qeparo. "Në prokurori nuk u depozitua ndonjë padi për personin në fjalë, por pasi mësuam për ngjarjen nga media ne kryem hetimet tona dhe arritëm në konkluzionin se është konsumuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës, që parashikohet nga neni 248 i Kodit Penal", tha prokurori Malaj, ndërsa sqaroi se kërkesa për gjykim është depozituar në Gjykatën e Vlorës më 16 maj dhe tani pritet vetëm caktimi i datës për nisjen e procesit gjyqësor.
Denoncimi i "Shqip"
Shkulja e tabelave nga rrugët e Himarës u denoncua nga gazeta "Shqip" më 2 mars 2008. Artikulli me titull "Policia e Bollanos sfidon qeverinë" ishte pikënisja e hetimeve të prokurorisë që çuan në ndjekjen penale të Vasil Bollanos. Gazeta shkroi në atë kohë se:
Në Himarë u instalua në vjeshtën e vitit të shkuar gjithë sinjalistika kulturore-turistike. Në afërsi të çdo plazhi, të çdo kishe të vjetër, kështjelle apo siti arkeologjik, u vendosën tabela udhërrëfyese në shqip dhe në anglisht, me qëllim që t‘u shërbenin turistëve vendas dhe të huaj. Por, pa mbaruar mirë instalimi i sinjalistikës, Bashkia e Himarës vendosi t‘i shkulë gjithë tabelat e vendosura nga Llogoraja deri në Borsh. Që të ishin të denja për të qëndruar në rrugët që kalojnë nëpër Himarë, këto tabela duhet të ishin shkruar edhe në greqisht, ndaj bashkia veproi shpejt, edhe pse vendimi për vendosjen e tabelave ishte marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve (DPRRSH), që është enti pronar i rrugëve kombëtare. Vendosja e sinjalistikës kulturore-turistike në bregdetin e jugut ishte një projekt i Bankës Botërore, që u financua edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, si dhe nga qeveritë e Austrisë dhe Holandës. Majlinda Hoxha, eksperte teknike në njësinë e koordinimit të projektit "Menaxhimi i integruar dhe pastrimi i zonës bregdetare", tha për gazetën "Shqip", se më 2 shtator 2007 Policia Bashkiake e Himarës lëshoi një shkresë urdhëronte një person me emrin Gramoz, për heqjen e tabelave të vendosura në territorin e Himarës. Përndryshe, policia bashkiake do t‘i hiqte vetë tabelat. Gazeta ka siguruar një kopje të shkresës së policisë bashkiake të Himarës pa numër protokolli dhe pa vulë, që është nënshkruar nga përgjegjësi i kësaj policie, Aleks Dedi. Duke iu referuar një vendimi të Këshillit Bashkiak të Himarës, të 21 majit 2007, zoti Dedi urdhëron të heqë tabelat zotin Gramoz, të cilit meqë nuk ia di mbiemrin, ia ka zëvendësuar me numrin e telefonit. Megjithëse shkresa nuk drejtohej askund, koordinatori i projektit "Menaxhimi i integruar dhe pastrimi i zonës bregdetare", Jamarbër Malltezi i dërgoi Bashkisë Himarë një shkresë me anë të së cilës kërkonte zhbllokimin e situatës. Por Bashkia e Himarës nuk ktheu më përgjigje, por shkuli të gjitha tabelat që nga Llogoraja deri në Qeparo.
Provat e prokurorisë
Për të mbështetur akuzën e ngritur ndaj kreut të Bashkisë së Himarës, Prokuroria e Vlorës ka marrë në pyetje përveç të pandehurit edhe punonjës të policisë bashkiake, të cilët kanë zbatuar urdhrin për heqjen e tabelave. Prokurori Sokol Malaj tha se në cilësinë provës janë sekuestruar urdhrat e kryetarit të Bashkisë së Himarës për heqjen e tabelave turistike-kulturore, si dhe korrespondenca e tij për këtë çështje me njësinë e koordinimit të projektit "Menaxhimi i integruar dhe pastrimi i zonës bregdetare".
Neni 248 i Kodit Penal
Shpërdorimi i detyrës
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale apo jomateriale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 000 - 1 000 000 lekë.