Çela: Prefekti Ksera, në një tubim antishqiptar
Pjesëmarrja e prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera, në një manifestim që zhvillohet çdo vit në një qytet grek në kufi me Shqipërinë dhe ku festohet "shpallja e autonomisë" së Vorio-Epirit, është kritikuar dje në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike, Blerim Çela. Deputeti Çela ka shpjeguar dje nga foltorja e Kuvendit se çfarë është protokolli i Korfuzit, në përkujtimin e të cilit prefekti i Gjirokastrës ka marrë pjesë. Deputeti tepelenas tha se ky protokoll për grekët sanksionon autonominë e asaj pjese të Shqipërisë së Jugut që nga ata njihet si Epiri i Veriut. "Në protokollin e Korfuzit, negociatat janë kryer mes grekëve dhe nuk ka pasur shqiptarë, ndaj sipas një diplomati anglez të kohës, dokumenti duhej të hidhej në koshin e plehrave", është shprehur Çela. Ai ka kërkuar marrjen e masave ndaj prefektit të Gjirokastrës, që sipas tij, ka marrë pjesë në një tubim antishqiptar. Pak ditë më parë, prefekti i Gjirokastrës ka marrë pjesë në një manifestim në Konicë, ku është përkujtuar protokolli i Korfuzit. Mediat lokale në Janinë bënë të ditur se prefekti Ksera është veshur me flamurin grek dhe ka deklaruar se merr pjesë në këtë ceremoni përkujtimore si prefekti i Vorio-Epirit. Por vetë Ksera, dy ditë më pas është munduar të justifikojë veprimin e tij, duke deklaruar se "kam qenë i pranishëm në këtë manifestim për të ulur konfliktet që janë vërejtur këtë periudhë. Kam marrë pjesë në festimet dhe përkujtimet e protokollit të Korfuzit". Spiro Ksera është i pari prefekt i Gjirokastrës që ka origjinë greke. Ai është emëruar në këtë post me propozim të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, të bazë të marrëveshjeve paszgjedhore mes kësaj partie dhe partisë më të madhe të mazhorancës, PD.