E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stringa: Fushata nuk bëhet me inaugurime rrugësh

Fushata e PD-së merr goditjen e parë nga brenda kryesisë së saj. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Omer Stringa, është shprehur kundër fillimit të kësaj fushate nga ana e Partisë Demokratike. "PD ende nuk e ka nisur fushatën e saj. Ajo nuk mund të bëjë fushatë me inaugurime rrugësh, por duhet t‘i prekë gjërat më nga afër. Shqipëria ka nevojë për punë, arsimim, sistem më të mirë shëndetësor. Janë disa gjëra që s‘po funksionojnë në këtë qeverisje, që vlen të theksohet është më e mirë se ajo e socialistëve", thotë Stringa. Zërave ndryshe në PD, Partia Demokratike i përgjigjet me heshtje. Deputetë të PD-së e cilësojnë Stringën si mikun e tyre, pavarësisht deklaratave të bëra prej tij kohët e fundit mbi qeverisjen "Berisha". Sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka, shprehet se nuk do të ketë masë penalizmi për qëndrimin e Stringës, pasi, sipas tij, "PD-ja ka katër vjet që ka eliminuar nga statusi i saj fjalën përjashtim. Ai ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë anëtarë kryesie". Anëtari i kryesisë së PD-së, i vetmi që kundërshton publikisht qëndrimet e PD-së dhe i vetmi që kritikon hapur mënyrën e qeverisjes, Omer Stringa thekson se "PD ka të nevojshme që të rishikojë koalicionin". Ai kërkon që Berisha të mos përdorë forcën e numrave për të bërë qeverinë, por të përqendrohet kryesisht në një qeverisje më të mirë dhe të kualifikuar. "Fushata s‘ka nisur ende", shprehet Stringa, duke kërkuar nga Kryeministri të rishikojë si fillim koalicionin, por edhe ligjin elektoral. Dje, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në rrethin e Lushnjës, ku inspektoi punimet e rrugës "Karbunara e Vogël". Projekti për ndërtimin e kësaj rruge kap vlerën rreth 80 milionë lekë, me investim të buxhetit të shtetit. Rruga është e ndarë në 4 lote, nga të cilat 2 kanë përfunduar, ndërkohë që 2 lotet e tjera parashikohet të përfundojnë në korrik të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›