E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rrëshen-Kalimash,në pranverë do themi ‘u kry’

 

ROLAND NIKOLLI

Pas debatit dyjavor për ligjin e dosjeve, një ditë pas votimit të tij në Parlament, Kryeministri Berisha ka ndjekur nga afër punimet në tunelin Thirrë-Kalimash, pjesë e aksit Durrës-Kukës.  Kreu i qeverisë ka mbërritur me helikopter dhe pasi ka vizituar nga ajri të gjithë segmentin, është ndaluar në sheshin para grykës së tunelit në fshatin Thirrë të komunës Fanë të rrethit Mirditë. Pasi është pritur nga deputeti i zonës dhe të zgjedhurit lokalë, Berisha ka hyrë në thellësi të tunelit ku ka parë nga afër punën e kompanisë “Bechtel”. “Siç e shihni, nga Rrësheni deri këtu fluturova mbi trasenë e rrugës. Mund t’ju them se udhëtimi më emocional në jetën time dhe vizita më emocionale, ka qenë në Kosovë, kur unë kam vizituar për herë të parë këtë vend. Por udhëtimi i dytë më emocional ishte fluturimi mbi këtë rrugë, sepse ajo ka lëshuar shtat në të gjithë trajektoren e saj”, u shpreh kreu i qeverisë në përfundim të inspektimit të punimeve. Sipas tij, nuk do të jetë e largët dita kur punimet e kësaj rruge do të përfundojnë, duke përdorur fjalën “u kry”, e cila u bë edhe shprehja më e përdorur në Kosovë gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt. “Këtë pranverë, do të themi të gjithë së bashku që Korridori i shqiptarëve “u krye”. Më vjen ndërmend një dialog që kam pasur me një nga “armiqtë” e egër të rrugës, i cili në një moment nuk u përmbajt dhe lëshoi një seri kërcënimesh. Unë i thashë se rrugën do ta bëjmë, qoftë edhe me bizhutë e grave tona. Tashmë, duke ardhur në këtë rrugë, 1 herë dhe 1000 herë jam i bindur se përgjigjja ka qenë e merituar, se rruga duhej bërë dhe nuk mund t’i jap ndonjë emër më të bukur kësaj rruge sesa Korridori i shqiptarëve”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave se përse e vizitonte kaq shpesh këtë rrugë, Berisha u shpreh se “Unë nuk prisja këtë pyetje, unë prisja pyetjen se përse nuk vjen çdo javë në këtë rrugë. Mos u çudisni, sepse unë do të filloj të vij, sepse kjo rrugë e meriton ta vizitosh çdo javë”. Bechtel Enka është duke punuar në të gjithë gjatësinë e rrugës Rrëshen–Kalimash, prej 61 km. “Puna vazhdon në 29 urat e kësaj rruge. 19 ura kanë përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Janë ndërtuar dhe bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për urat e tjera. Këtë muaj ka përfunduar dhe ura më e lartë në segmentin e tretë, një urë prej 80 metra e lartë”, thuhet në një njoftim të Këshillit të Ministrave. Në impiantet e prodhimit janë realizuar 526 trarë, 335 prej tyre tashmë janë të instaluar. Sipas të dhënave të firmës, deri tani janë kryer 92 për qind gërmime, pa përfshirë tunelin dhe mbushje 89 për qind. Kompania Bechtel po punon njëkohësisht në të dy tunelet, në të dy hyrjet veri–jug, paralelisht. Progresi total i gërmimeve në metër kub, i kombinuar në të dy galeritë e tunelit, është 92 për qind. Aktualisht në këtë rrugë punojnë rreth 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh, po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme. Kjo rrugë pritet të përfundoj qershorin e vitit të ardhshëm. Ajo konsiderohet si rruga e Shekullit për shkak të rëndësisë që ka, por në të njëjtën kohë është edhe investimi më i madh që ka realizuar ndonjëherë një qeveri. 

Hetimet për Lulzim Bashën,Apeli rrëzon Prokurorinë

Armand Bajrami

Gjykata e Apelit “rrëzon” për herë të tretë Prokurorinë e Përgji-thshme, duke rrezikuar dukshëm ligjshmërinë e akuzave të ngritura kundër ministrit të Jashtëm Lulzim Basha.
Trupi gjykues i Apelit la në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtari i Shkallës së Parë të Tiranës Sokol Tona, i cili më 18 nëntor 2008 vendosi të konsiderojë të pavlefshëm çdo veprim të Prokurorisë më dosjen Durrës-Kukës të kryer pas datës 6 nëntor 2008. Gjykata e Apelit rrëzoi ankimimin, që Prokuroria e Përgjithshme kishte bërë për ndërprerjen e hetimeve nga gjykata, e cila ndërhyri në një moment të tillë kur akuza ndaj Bashës nuk ishte formuluar ende. Trupi gjykues i Apelit i përbërë nga Dalin Bushi kryesues dhe Tomë Ndreca e Seit Xhoxhaj, anëtarë, shpalli vendimin dje rreth mesditës. Ata lanë në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtari Sokol Tona më 18 nëntor 2008 pas ankesës së bërë në gjykatë nga Armand Teliti dhe Andi Toma, në atë kohë persona të pandehur të dosjes “Durrës-Kukës”. Lënia në fuqi në Apel e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë i jep atij formë të prerë. Vendimi i shpallur dje nga Apeli konsideron të pavlefshëm çdo veprim të kryer nga Prokuroria pas datës 6 nëntor, duke përfshirë këtu ngritjen e akuzës ndaj Lulzim Bashës, thirrjen e tij si i pandehur dhe dërgimin e dosjes për gjykim. Ajo çka atakohet nga vendimi, që u la në fuqi është akuza për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, ndaj Lulzim Bashës. 
Seanca në Apel
Seanca e djeshme në Apel filloi e shoqëruar me batuta të forta mes palëve në proces. Në orën 09:00 seanca “dështoi” si pasojë e pranisë në treshen gjykuese të Zeqine Sollakut, bashkëshortes së ish-prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Gjyqtarja Sollaku kërkoi dorëheqjen nga trupi gjykues me pretendimin se procedimi penal ndaj ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Transporteve ka nisur gjatë kohës, që bashkëshorti i saj ishte prokuror i Përgjithshëm. Pasi u shqyrtua nga kreu i Apelit, kërkesa e gjyqtares Sollaku rezultoi të kishte shkaqe të ligjshme dhe për rrjedhojë u bë zëvendësimi i saj në trupën gjykuese. Në nisjen e shqyrtimit të ankimimit të Prokurorisë, kryesuesi i seancës relatoi vendimin e dhënë nga shkalla e parë në 18 nëntor dhe më pas ftoi palët të jepnin argumentet. Pala e akuzës, i kërkoi gjykatës prishjen e vendimit të shkallës së parë, pasi procedimi është i lidhur me një dosje që ndodhet në Gjykatën e Lartë. “I kërkojmë gjykatës të prishë vendimin, si vendim i marrë nga një gjykatë jo kompetente”, u shpreh prokurori Luan Kaloçi. Ndërsa avokatët e të pandehurve të dosjes “Durrës-Kukës”, kërkuan rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë, pasi nuk ekzistonte procedim i lidhur, sepse akuzat janë komunikuar jashtë afateve ligjore. Pasi dëgjoi palët, gjykata vendosi lënien në fuqi të vendimit të dhënë në Shkallën e Parë për shpallje të pavlefshme të veprimeve hetimore për dosjen “Rrëshen-Kalimash” pas datës 6 nëntor 2008. Pas vendimit në Apel, Genc Gjokutaj, avokati i Andi Tomës dhe Armand Telitit deklaroi, se gjyqi vërtetoi fitoren e procesit nga ana e tij dhe klientëve që përfaqëson. “Kjo, pasi në rrugë ligjore ne vërtetuam zvarritjen e hetimit”, u shpreh Gjokutaj. “Mendoj se beteja nuk ka mbaruar, por që ne do të vazhdojmë me këtë taktikë mbrojtjeje në këtë rrugë të bindur, se e drejta është me ne”, përfundoi ai.  

Prokuroria: Vendimet s‘kanë efekt, dosja është në Gjykatën e Lartë

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme tha dje se vendimet e dhëna nga Gjykata e Faktit dhe ajo e Apelit nuk kanë efekt ligjor mbi dosjen “Durrës-Kukës”, nuk kanë efekt për shkak se procedimi penal ndodhet në një gjykatë më të lartë se ato që kanë marrë vendimet e deritanishme. Sipas organit të akuzës mësohet se përfaqësuesit e saj janë paraqitur në Gjykatën e Faktit dhe në Apel për të respektuar këto institucione, ndërsa vendimet e marra prej tyre nuk i shtrijnë efektet mbi dosjen penale ndaj Lulzim Bashës për shkak se kompetenca e gjykimit të personave me imunitet i përket sipas ligjeve Gjykatës së Lartë. Sipas Prokurorisë edhe akuzat e ngritura ndaj Andi Tomës edhe pse ai nuk ka imunitet duhet të shqyrtohen sipas ligjit në Gjykatën e Lartë pasi sipas procedurës kur persona të tillë akuzohen në bashkëpunim me persona me imunitet, atëherë kompetenca për këta të fundit përfshin gjykimin edhe për zyrtarët që nuk gëzojnë imunitet parlamentar. Prokuroria tha se është në pritje të fillimit të procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë për akuzat e ngritura ndaj Bashës dhe ish-vartësit të tij.               t.s     

Dosja “Basha”, dorëhiqet gjyqtarja Sollaku
TIRANE – Bashkëshortja e ish-prokurorit të Përgjithshëm dha dorëheqjen dje nga shqyrtimi i padisë së bërë nga Prokuroria për mbylljen e hetimeve të dosjes penale ndaj Lulzim Bashës. Gjyqtarja Zeqine Sollaku që në fillim të seancës së djeshme kërkoi përjashtimin nga trupi gjykues i çështjes, duke pohuar se nuk mund të merrte pjesë pasi hetimet për këtë dosje filluan në kohën kur bashkëshorti i saj kryente detyrën e prokurorit të Përgjithshëm. Gjykata e Apelit pasi verifikoi kërkesën e bërë nga gjyqtarja Sollaku e gjeti atë të bazuar në ligj dhe e miratoi duke zëvendësuar gjyqtaren e zgjedhur nga shorti me një gjyqtar tjetër, që u bë pjesë e trupës gjykuese, e cila më pas dha vendimin.  

Gjykata e Lartë: Basha në gjyq më 30 janar 2009

TIRANE - Ministri i Jashtëm Lulzim Basha do të ulet në bankën e të akuzuarve në orën 10:00 të mëngjesit të 30 janarit të vitit 2009. Mesditën e djeshme Gjykata e Lartë shpalli se seanca e parë për shqyrtimin e kësaj dosje do të jetë në fund të muajit janar, kohë e mjaftueshme kjo, që, Kolegji Penal pesanëtarësh të studiojë dosjen dhe të kryejë veprimet procedurale, që kanë të bëjnë me njoftimin e të dy të akuzuarve Lulzim Basha e Andi Toma. Burime të gjykatës pohuan dje se Kolegjin Penal pesanëtarësh të këtij institucioni do ta kryesojë vetë relatori i çështjes, Spiro Spiro, ndërsa në anë të tij do të jenë gjykatësit Aleksandër Muskaj, Irma Bala, Perikli Zaharia dhe Besnik Imeraj. Sipas burimeve nga Gjykata e Lartë, në rastet kur trupa gjyqësore e këtij institucioni gjykon si Shkallë e Parë dhe në kolegj ndodhet kreu i Gjykatës së Lartë, atëherë automatikisht ky kryeson kolegjin. Në rastin konkret kryetarja e gjykatës Shpresa Beçaj, nuk është përfshirë në kolegj, kështu që kryesimi i mbetet gjykatësit Spiro, të cilin shorti e përzgjodhi si relator në çështjen “Durrës–Kukës”. Dosja e këtij procesi u dorëzua në Gjykatën e Lartë pasditen e 6 dhjetorit pas më shumë se një viti hetimesh, ndërsa të pandehur në të janë ish-ministri i Transporteve Lulzim Basha dhe ish-kreu Juridik i kësaj ministrie Andi Toma, të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tenderë”. Dëmi i pretenduar nga Prokuroria, t’i jetë shkaktuar shtetit nga veprimet e të pandehurve, gjatë kohës që mbanin poste në Ministrinë e Transporteve sipas një akti ekspertimi llogaritet në 232 milionë euro. Basha, i cili është marrë i pandehur vetëm ditët e fundit të hetimit dhe i bashkakuzuari me të, Toma, mbajnë qëndrim mohues ndaj akuzës.                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›