E Diel, 1 Nëntor 2026

Laze super-ofertë, por Dede frenohet

 

Elbasani është futur fuqishëm në valle për të marrë shërbimet e mbrojtësit Nevil Dede. Presidenti i verdhebluve, Arben Laze, ka kontaktuar dje me lojtarin dhe sipas tij marrëveshja është 99% e arritur: Dede në janar vishet verdheblu. Megjithatë, ka qenë vetë futbollisti, ai që ka frenuar entuziazmin duke thënë se nuk është vendosur asgjë deri tani. Laze ka pohuar se i ka bërë një super-ofertë e cila duket se e ka bindur Deden të pranojë parimisht ofertën e bërë nga Elbasani. Sipas presidentit të klubit, ajo që e pengon Nevil Deden të pranojë zyrtarisht ofertën e ekipit të Elbasanit është skuadra kineze ku është aktivizuar Dede, e cila pritet që t'i bëjë një tjetër ofertë futbollistit të spikatur që është aktivizuar në radhët e Elbasanit për dy sezone në kohën kur ky ekip shpallej nën kampion dhe kampion i vendit. Nevil Dede ka pohuar se ka pasur kontakte ditën e djeshme  me drejtuesit e klubit të Elbasanit, por ai është treguar i përmbajtur duke thënë se ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, pasi ka disa oferta, të cilat po i vlerëson me kujdes. "Po është e vërtetë, që kam pasur kontakte me presidentin e klubit të Elbasanit, të cilin e kam mik dhe e respektoj - ka thënë Dede për "Panorama Sport" - Megjithatë, unë ende nuk kam vendosur, pasi më parë duhet të zgjidh disa çështje të tjera". Dede aktualisht ka një ofertë joshëse nga një klub kinez dhe po e vlerëson me seriozitet rikthimin në kampionatin aziatik. "Menaxheri im në Kinë është në bisedime me një skuadër e cila më ka bërë një ofertë të mirë dhe pa zgjidhur më parë këtë çështje, nuk mund t'i jap përgjigje as Elbasanit dhe as klubeve të tjera shqiptare që kanë shprehur interesim për mua. Padyshim që Elbasani është një skuadër e dashur, në të cilën ndihem mjaft mirë, por unë ende nuk kam vendosur ndonjë gjë. Oferta e Lazes? Po, ishte vërtet e mirë", ka thënë Dede.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›