“Lider krijon kryeministrin e ardhshëm”
Sonila Meço
Prej aty do të dalë më i miri. Jo ai që i pëlqen "masës", sepse di të kërcejë më mirë, se ka një pamje të hijshme e është shakatar, por sepse di t'i udhë-heqë. Këto ditë pranë Tv "Klan" kanë nisur audicionet për përzgjedhjen e të rinjve, që do të marrin pjesë në reality show-n më të ri, të quajtur "Lider". Jo më kot është quajtur kështu. Aty mund të lindin politikanët, drejtuesit e së ardhmes. Ideatori i këtij programi, filozofi Artan Fuga, shpjegon thelbin e këtij programi, qëllimin dhe mënyrën e organizimit.
Reality show, tashmë duket një dëshirë e mirë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë globin. Ne po i afrohemi gjithnjë e më shumë këtyre formateve. Në Shqipëri jemi mësuar me disa lloj reality show, ku grupe të përzgjedhura izolohen, janë një prerje tërësore e momentit, përpiqen t'i mbijetojnë rrethanave sociale të paracaktuara dhe kanë një formim kulturor, që shpeshherë lë për të dëshiruar. Çfarë të rejash do të sjellë ky reality show dhe ku e bën diferencën me të tjerët?
Ky reality show do të jetë një ofiçinë, që do të prodhojë një tip lideri, një tip politikani, që me siguri politika shqiptare ende nuk e ka parë akoma. Ai që do shpallet lideri do të ketë, sipas meje, ato vlera dhe zotësi që po të dojë të ketë mundësi brenda njëzetë viteve të ardhshme, të kapë postin ose të Presidentit, ose të Kryeministrit, ose të Kryetarit apo Kryetares së Parlamentit.
Publiku masiv, grupi realizues i emisionit, dhe mbi të gjitha vetë ata që do të futen për të jetuar në këtë "qytet", unë i quaj "qytetarët", do të prodhojnë liderin e ri. Ai nuk do të jetë sigurisht mbinjeriu i Niçes, nuk do të jetë Princi i Makiavelit, nuk do të jetë Sokrati i paraqitur nga Platoni, as Drakula që i pinte gjakun bashkëkombësve të vet, as Kaligula që përdhunonte si zot i politikës dhe i shtetit femrat e bukura të shtetit të vet, ndofta do të jetë demagog, ndofta mashtrues i masave, nuk e di, por një tip lideri do të jetë. Pra, bashkë me publikun dhe grupin realizues, me "qytetarët" ne do të jemi një si tip Frankeshtajni që nxjerr në jetë një krijesë të re.
Si do të krijohet ky lider?
Ai do të krijojë veten e vet para publikut. Sepse një politikan dhe një lider i zoti nuk është ai që e njeh familja e tij, nuk është ai që është, por është miti që ai ka ditur t'iu injektojë turmave, publikut, për veten e tij. Është projeksioni i vetes së tij në ndërgjegjen kolektive të masave, është loja e hijeve, sikurse thoshte Sokrati, në mendjen dhe shpirtin e turmave që rrinë duke ngrënë patatina para ekraneve të televizionit. Një politikan i mirë drejton me anë të hijes së vet, me anë të sozisë së tij që e krijojnë mediat, thashethemet e militantëve, folklori urban nëpër kafene, pub-e, pijetore, qethtore, thotë miku im Qenan K.
Ju personalisht, si u gjendët në vorbullën e këtij programi?
Unë i jam bashkuar këtij projekti, sepse, së pari, e kam parë me shumë interes dhe shumë të dobishme për jetën e shoqërisë shqiptare dhe pjesëmarrjen e qytetarit në politikë. Përgjithësisht ky reality show me këtë titull "Lider", gjithsesi kërkon që të evidentojë, ashtu siç e thatë edhe ju, persona, të cilët të kenë aftësitë e liderit, por këto aftësi ata do t'i realizojnë në praktikë e sipër. Ata, që do të jenë brenda këtij qyteti, siç e quaj unë, në miniaturë, një polisi në miniaturë, në city, një cité, do të hyjnë drejt aksionit. Ata do të kenë jetën e tyre politike, jetën e tyre sociale, jetën e tyre kulturore. Do të orientohen në grupime të caktuara politike, që sipas ndarjes së tyre të vullnetshme atje do të priren drejt një aksioni, do të jenë mobilizuar drejt një qëllimi në synimet e tyre politike. Së dyti, ajo që më ka interesuar mua personalisht, por edhe grupit që e realizon e më tej akoma edhe publikut është ai interes që ju thoni me të drejtë se formati ka ngjallur, i cili vjen nga ideja e bashkëveprimit midis aktorëve socialë që do të jenë brenda këtij qyteti dhe publikut të gjerë. Në njëfarë mënyre, në këtë rast nuk do të kemi një realitet artificial, por do të kemi një jetë politike reale brenda studiove, brenda hapësirave të krijuara nga "TV Klan", i cili do të krijojë një realitet paralel të ngjarjeve politike reale që ndodhin në jetën shqiptare, në politikën shqiptare. Pra, do të kemi një politikë mikro dhe një politikë makro.
Kështu që telespektatori do të ketë një rast shumë interesant për të ballafaquar dy realitete: një realitet televiziv të vërtetë dhe një realitet, i cili është realiteti i jetës politike shqiptare. Së treti mua më ka interesuar ky spektakël për arsye se shpresoj dhe besoj se do të ketë një rol shumë të madh për ta lidhur, për ta bërë më të interesuar, për ta bërë të ndjeshëm publikun ndaj politikës si fenomen, si një prodhim i së mirës dhe i së drejtës për shumësinë dhe për qytetin në përgjithësi, pavarësisht nga modelet politike dhe prej lideri që kanë qenë apo janë në Shqipëri. Do të ketë të rinj, të cilët me siguri do të tregojnë vlera, do të tregojnë mënyrën se si ata e kuptojnë jetën politike, mënyrën se si duhen bërë ligje të drejta, pra në njëfarë mënyre do të kemi si të thuash një lloj integrimi, një lloj përqasje të re të politikës tashmë nga një brez i ri, i cili po afrohet drejt TV "Klan"-it për të marrë pjesë dhe për t'u seleksionuar, sepse mesa duket seleksionimi do të jetë i fortë dhe kjo duket nga kandidaturat e shumta.
Ju radhitët saktësisht arsyet e përfshirjes dhe objektivat që kërkoni të arrini, por realisht ky reality-show në përmbajtje dhe formë është mjeti dhe qëllimi njëkohësisht. Duke qenë se ekziston thënia që "jeta e shqiptarit është e politizuar deri në qelizë" si mund të arrini ju vetë si një konceptues, si një konsulent, të jeni afër mjaftueshëm për t'i dhënë një model shkencor promovimit të këtyre të rinjve, por edhe jo aq afër sa të mos ndikoni gjeneralitetin e prurjeve?
Pyetja është shumë interesante. Politika për mua nuk ka të bëjë në thelb me arsyen. Arsyeja dhe ligjërimi racional është faza kur politika ndikohet nga shkenca. Pa të drejtë. Arsyeja është një manipulim i politikës që kërkon ta bëjë qytetarin të besojë se ajo flet vetëm ligje të pashmangshëm. Nuk është aspak e vërtetë. Politika është bija e pasionit, e egoizmit, e sakrificës, e dëshirës për t'iu imponuar tjetrit duke i shërbyer atij, e narcizmit personal. Nuk do te jetë një sallë mbledhjesh akademike.
Në këtë lojë televizive ka vend për të gjithë. Nuk duhet të jesh shumë i ditur për t'u marrë me politikë. Duhet të jesh i zoti të ndërtosh të mirën publike, të ngresh kurthe për kundërshtarët e tu, duhet me qenë bindës në fjalimet e tua, duhet të dish t'iu mbushësh mendjen të tjerëve, masave, të nxisësh pasionet e turmave, të kesh vullnet për të sunduar, të dish t'i shërbesh klanit tënd elektoral, interesin tënd ta paraqesësh si një e mirë e përgjithshme, por edhe të sakrifikosh për të mirën publike, të justifikosh besimin që të është dhënë, të dish mos tërhiqesh, por edhe të japësh dorëheqje, të kesh dinjitet për vendin tënd dhe për popullin tënd, të kesh informacion, të bësh që të gjithë të respektojnë të mirën, të drejtën dhe të ndërtohet një sistem ku të gjithë të jenë barabar para ligjit, të kenë të drejta. Pra, nuk është një provim. Ka me qindra djem e vajza të afta që nuk e dine se mund të bëhen politikanë të shkëlqyer, se mund të bëjnë karrierë. Por, nuk i lënë sepse portat e karrierës politike jua mbyllin ata që janë prej vitesh në politikë, deputetët aktualë, sekretarët e partive, militantët. Prandaj TV "Klan" me këtë emision kërkon, që të çelë një dritare promovimi për këdo, që jeta reale nuk i lejon shtigje për të dalë në skenën politike reale, ta nxjerrë direkt e në sytë e elektoratit, pa e detyruar të kalojë nëpër mbledhje organizatash partie, seksionesh partie, mitingjesh, formash edukimi, pune vullnetare. Direkt e në podiumin e aureolës kombëtare e më tej. Një projekt i madh dhe me shpresa të papara për të gjithë ata të rinj që ndihen të vetmuar, të pavlerësuar, që kërkojnë të çajnë, për ata që e quajnë veten e tyre njësha, shefa, kryetarë të parealizuar se jeta dhe të tjerët iu kanë bërë padrejtësi. Le të dalin në arenë me çfarëdo profesioni, formimi që të kenë, ngado që të vijnë, pavarësisht ngjyrës, dialektit, seksit.
Cili është stafi që po punon për këtë ndërmarrje?
Për këtë format po punon një grup specialistësh në shkenca politike, sociale, një grup shumë i talentuar kolegësh më të rinj në moshë me në krye gazetarin dhe kolegun Mentor Nazarko, i cili nuk është vetëm gazetar, por është edhe një specialist i shkencave politike. Ideja që më ka tërhequr mua më shumë është se në fund të fundit, synimi i gjithkujt, që merret me këtë shkenca sociale realizohet atëherë kur ai përpiqet të konceptojë një qytet në kuptimin politik, një qytet, një polis, një city e thënë në gjuhë të ndryshme, sikurse bëri Platoni, Rusoi, Loku, Tomas Mori, Kampanela dhe në këtë rast TV "Klan" po e jep këtë mundësi përmes këtij grupi specialistësh, që ky qytet utopik, por real të krijohet.
Ideja është që të përpiqemi, që nga njëra anë ky qytet të ketë disa rregulla, të ketë atë që quhet strukturë bazë e futjes së aktorëve në të, të atyre që do të veprojnë në bazë të disa rregullave të caktuara, mbi bazën e disa parimeve të caktuara dhe pastaj ata do të veprojnë lirisht brenda qytetit, sikurse t'ua presë mendja dhe t'ua dojë energjia për pushtet. Sigurisht ne e kemi konceptuar në atë mënyrë që atje të riprodhohet jeta e shoqërisë në miniaturë. Po synojmë që të ketë pare në qarkullim në sheshet tregtare të atij qyteti, të ketë institucione të caktuara politike, ku pjesëmarrësit të dalin dhe të debatojnë me njëri-tjetrin në institucionet e tyre përfaqësuese; të ketë një jetë kulturore të gjallë në mënyrë që qyteti të ndërtohet mbi bazën e pikëpamjeve politike, partive politike, ku do të angazhohen pjesëmarrësit dhe njerëzit politikë; ku përtej jetës së tyre politike të kenë administratën e tyre, që e ndërtojnë vetë; të kenë aktivitete kulturore, të kenë vende sociale, të cilat të jenë vende, ku ata kalojnë jetën e tyre dhe jo medoemos struktura të ndërtuara mbi bazën e jetës politike. Kjo mund t'i shpëtojë politizimit. Ju keni shumë të drejtë kur thoni se shoqëria shqiptare është politizuar, por unë mendoj se në disa shtresa shoqërore ka një ikje të madhe nga politika. Specialistë të këtyre shkencave e ndiejnë, por kjo nga njëra anë do të bëjë që televizioni "Klan" t'i bëjë thirrje këtyre shtresave, që për një arsye apo për një tjetër janë larguar nga politika, që t'i kthehen politikës, t'i kthehen një politike, ku ata nëpërmjet televizionit mund të japin mendimet e tyre.
Ç'është "Lider"?
Lider është sipërmarrja më e re e Tv "Klan" për këtë sezon, i zhanrit reality show, por i një modeli krejt tjetër nga ato që kemi parë deri sot. Prej disa ditësh kanë filluar audicionet, me të rinj që kanë dëshirë dhe formim të mjaftueshëm kulturor. Rreth 50 prej tyre do të përzgjidhen nga një juri ekspertësh dhe do të kalojnë në fazën e dytë, ku do të kenë mundësinë të prezantojnë vetveten në 4 seri emisionesh, që do të transmetohen gjatë janarit në Tv "Klan". Më tej, 16 prej tyre, që do të shfaqin tiparet më të spikatura për formatin e këtij reality show, do të përzgjidhen me votim popullor dhe me konsulencën e përhershme të jurisë. Ata do të hyjnë në një shtëpi, por duke mos u izoluar për asnjë çast nga kultura dhe zhvillimet e jashtme dhe gjithçka do të transmetohet 24 orë non stop. Sigurisht që për fituesin do të ketë edhe një çmim. Audicioni vazhdon, për të gjithë ata të rinj, që janë nga 18-35 vjeç dhe kanë ambicien për të ecur në fushën e politikës.