E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpiakosi kërkon Beqajn

 

Jetmir Halilaj

Portieri i Kombë-tares shqiptare, Arjan Beqaj, ka shumë mundësi të kthehet në kampionatin helen, në një prej skuadrave më të mira të këtij vendi, Olimpiakosi. Media greke të martën ka publikuar lajmin se Beqaj gjatë miniafatit kalimtar të dimrit mund të ndërrojë fanellën e Anorthosis Famagustas me atë të Olimpiakosit. Kampionët e Greqisë i kanë bërë një ofertë portierit të Fenerbahçes dhe të Kombëtares turke, Volkan Demirel, por ai nuk ka pranuar. Sipas uebsajtit www.typos.com, një nga menaxherët e skuadrës kampione të Greqisë ka qenë dy ditë më parë në Qipro dhe ka biseduar me krerët e klubit të Anorthosit, por gjithçka është ndërprerë për shkak të festës së Krishtlindjes. Paraqitja e shkëlqyer e treguar nga Beqaj gjatë këtij viti, si me Kombëtaren ashtu edhe me Anorthosisin, ka kthyer vëmendjen e shumë skuadrave. Mediat greke njoftojnë se gjatë ditëve të ardhshme pritet të bëhet edhe oferta zyrtare nga klubi grek për shërbimet e Beqajt. Aktualisht Beqaj po kurohet nga një dëmtim që pësoi pak javë më parë. Në fakt, Olimpiakosi e njeh mirë portierin e përfaqësueses shqiptare. Kosovari u bë barrierë e pakalueshme për skuadrën greke në fazën eliminatore, duke i mohuar Olimpiakosit të hynte në grupe në Ligën e Kampionëve. Beqaj me Anorthosisin ishin gati për të bërë befasinë e vitit dhe për pak sa nuk u kualifikuan në fazën e dytë të Championsit. Në ndeshjen vendimtare, Beqaj u zëvendësua për shkak të një dëmtimi dhe zëvendësuesi i tij pësoi një gol qesharak nga Panathinaikosi.
Kjo humbje e la pa gara evropiane Anorthosisin e Beqajt. Portieri i Kombëtares shqiptare paraqitje të mira ka treguar edhe me fanellën e Shqipërisë në kualifikimet për Botërorin 2010. Shqipëria renditet e treta në Grupin e parë me pesë pikë në katër ndeshje. Beqaj 33-vjeçar ka kontratë me skuadrën qipriote Anorthosis deri në qershorin e vitit 2011. Kartoni i tij vlerësohet rreth një milion euro. Ai tek Anorthosis është transferuar në verën e vitit 2006 nga skuadra greke Ionikos. Në Greqi, kosovari Beqaj ka veshur fanellën e OFI Kretas. Beqaj është ndër portierët e huaj me më shumë paraqitje në ligën elite të Greqisë dhe i vetmi që ka arritur të shënojë gol gjatë një ndeshjeje. Gjatë kësaj vere pati një interesim edhe nga Olimpiku i Marsejës për Arjan Beqajn, ku padyshim ndërmjetës ishte Lorik Cana, kapiteni i skuadrës franceze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›