Diplomacia që po paguan
Andis Harasani
Nuk mund të ndodhte ndryshe, por duhet thënë që nuk bëhet më fjalë për fatin e një individi nën akuzë publike e penale. Loja është shumë më e madhe se gjithçka personazhi përfaqëson, loja ka ndikuar dhe ka cenuar gjithë atë mekanizëm të ndërlikuar që quhet politika e jashtme e Shqipërisë. Ky është, fatkeqësisht, momenti që nuk merret në konsideratë. Ndaj, njëlloj si më parë, në Shqipërinë e këtyre viteve të mundimshëm të tranzicionit - rregull që nuk pranon dot përjashtimin - shteti ka pasur emrin, fytyrën, mentalitetin dhe vullnetin e të parit të tij, të gatshëm të sakrifikojë të tërën për hir të një pjese. Për këtë arsye, e natyrisht dhe shumë të tjera, të cilat dora-dorës po bëhen të njohura, shteti i sotëm shqiptar ka emrin, fytyrën, mentalitetin dhe i nënshtrohet vullnetit të Sali Berishës. Dhe po kështu, po i sakrifikohet vullnetit të tij. Mbrojtja e tij e fortë, llogorja publike që ai po ndërton me një ngulm të marrë për ministrin e tij të Jashtëm, mund të jetë dhe të duket “normale” në shtetin tonë tribal, por është krejtësisht jashtë kohe dhe koordinatave gjeografike dhe politike ku duhej të ndodhej vendi. Eshtë e vështirë të mos “mirëkuptohet” logjika e aktivitetit të ethshëm të kryeministrit; ai kërkon të japë sinjale të forta për të tijtë: unë nuk i shes bashkëpunëtorët; ai e ka të pamundur të bëjë ndryshe, sepse është vetë direkt mbas aktivitetit tashmë nën akuzë të ministrit Basha.
Ose ndoshta, ndoshta edhe mendon se është “humbur/fituar” pak në ndërtimin e rrugës dhe se duhej nxjerrë ndonjë tjetër lloj kostoje për të dhe xhepat privatë.
Kryeministri vuan njëlloj si vartësi i tij që duarshtrëngohet gjithë siklet me homologë të tij në Evropë e gjetkë. Edhe kur nuk ia bëjnë një pyetje të tillë, të gjithë ata e kanë në mendje “kureshtjen” e madhe: si po shkon puna e procesit tënd, zoti Basha? Dhe sërish në këtë rast, nuk bëhet fjalë sërish, kurrsesi për individin, por për njeriun që ndodhet për shkak të detyrës në vitrinën përballë botës të politikës shqiptare. Supozojmë që ministri i Jashtëm shqiptar diskuton, fjala vjen, me Jeremiçin për çështje të rajonit. Serbi duhet të ndjehet i fyer, por dhe krenar, sepse vetë politika e jashtme zyrtare ka dëshmuar dhe ka demaskuar një rrjet të tërë politik, me njerëz të barrikadës së kundërt me atë të PD-së, me përfaqësues të akuzës publike, të shoqërisë civile e deri me aktorët humoristë të “Portokallisë”, që i shërbejnë Beogradit. Që nuk duan arterien që lidh Tiranën me Prishtinën. Që janë kundër ëndrrës së rilindësve, Skënderbeut apo dhe mbretëreshës Teutë të ilirëve. Dhe në një rast të tillë ankese zyrtare me homologun serb kundër socialistëve, ai, ndoshta në mënyrë diplomatike, mund të thotë se pazari është vendi më mirë për të larë plaçkat e qelbura të shtëpisë.
Kushedi se çfarë mund të mendojë, por jo të thotë me zë edhe Bakojanis nga Athina. Zonja Bakojanis nuk ka pse të ketë argument më shumë në nevojën për të ndarë individin me karrigen e ministrit të Jashtëm. Kjo është nevoja jonë, është dhe nevoja e kryeministrit tonë. Vartësit të Berishës mund t´i bjerë rruga edhe nga OKB-ja dhe aty, përpara se të diskutohet për gjashtë pikat e sekretarit Ban Ki Mun, përsëri e përsëri mund t´i thuhet: Shko e sqaro ato muhabetet me Ina Ramën dhe pastaj hajde të flasim! Kështu mund t´i thotë edhe vetë guvernatori i Ilinoisit, zyrtarisht nën akuzë për korrupsion në vendin nga ku kemi dëshirë dhe “detyrim” të marrim modelin e demokracisë.
Më keq akoma do të shkonte një bashkëbisedim i ministrit tonë të Jashtëm në Bankën Botërore. Për kureshtje dhe për detyrë, financierët politikë natyrisht që do t´i kërkonin pa shumë doreza ministrit të denonconte ato lobingje antishqiptare dhe antirrugore që ndodhen në këtë institucion, të cilat ai nuk harron t´i përmendë sa kohë që i është dhënë me mish e shpirt patriotizmit folklorik në Tiranë. Një institucion i tillë që para së gjithash është edhe imazh, do të shqetësohej edhe nga një “pëshpërimë” publike që mund të verë në dyshim mirëfunksionimin e tij, por në kohën që akuzat bëhen nga një poltronë zyrtare, është e pamundur të ndahet qëndrimi po zyrtar i një vendi me hallin e një individi që fshihet pas postit.
Nuk do të ndryshonte gjë as një tur i ministrit në vendet e Konferencës Islamike. Vërtet ata nuk e kanë njohur ende Kosovën, por denoncimet e ministrit të Jashtëm në Tiranë kundër shumicës së shqiptarëve që nuk “e duan” Kosovën, mund të jenë një argument më shumë për ta për të përdorur logjikën ortodokse: të presim kalendat greke. Edhe nëse ata e inkurajojnë individin Basha që të qëndrojë fort, edhe nëse ata e përcjellin me “bismilah”, kjo nuk ndryshon gjë për fatin e tij, por thjesht komprometon gjithmonë e më tepër misionin dhe detyrën për të cilën paguhet. Mund të vazhdohej gjatë në këtë formë. E rëndësishme është që të kuptohet se çfarë po ndodh tashmë, nuk është më problem, e përsëris, i Lulzim Bashës si individ. Ai është problem i ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë dhe një hall jashtëzakonisht i madh i kryeministrit ende në detyrë Sali Berisha. Eshtë problem i ministrit, sepse ai tashmë shkon në kancelaritë e huaja kokulur, i frustruar dhe i trembur për çfarë mund të ndodhë në Shqipëri sa kohë ai ndodhet në avion apo diku jashtë vendit. Eshtë hall i kryeministrit, sepse ai ka tashmë një vartës, i cili është bërë gaz i botës. Eshtë problem se politika e jashtme shqiptare ndërfutet në një problem të brendshëm të rëndomtë korrupsioni dhe detyrimisht infektohet prej tij. Eshtë e papranueshme që ministri i Jashtëm ka zgjedhur me detyrim e përcaktim që të bëhet avokat i vetes përballë prokurorëve dhe opinionit, në vend që të jetë avokat i interesave të shtetit shqiptar. Përfundimisht ai është bërë një gur i rëndë në varkën e dikurshme të mbushur plot me premtime për luftën kundër korrupsionit, është bërë çakmaku i ndezur në një depo të mbushur me barut. Njëlloj si në Gërdec, pothuaj një vit më parë. Edhe njëherë, jo individi, por “pronari” i përkohshëm i poltronit numër një të diplomacisë shqiptare.
Logjika më minimale politike, por logjika e ndershme ama, do të kërkonte patjetër një lëvizje të detyruar të kryeministrit: le të vazhdojë ta konsiderojë individin Basha qoftë dhe si bir për shpirt, por le të lëvizë që të shpëtojë shpirtrat e tjerë dhe ta largojë atë nga kabineti, ose më saktë nga posti që mban ende. Si ministër i Jashtëm është shumë më i ekspozuar; ai ndodhet në rreshtin e parë të vëmendjes së publikut dhe era e keqe që lëshon skandali në të cilën është përfshirë, ndot dhe merr në qafë të gjithë rreshtin qeveritar. Mbi të gjitha, dëmton në një mënyrë që ngjan e pariparueshme imazhin “shëtitës” të vendit. Ky është momenti, që miliona eurove të munguara në buxhet falë Bashës, iu shtohet dëmi i pallogaritshëm që ministri i shkakton gjithë vendit.
Eshtë e pamundur që të shpjegohet se pse në Shqipëri ende nuk ka mbërritur modeli i politikanit europerëndimor, që edhe kur ndjehet i pafaj, por është nën akuzë publike, largohet dhe lë drejtësinë që të veprojë. Nëse individi Basha e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë, për shumë e shumë arsye, vendimmarrja e kryeministrit për ta larguar atë është thjesht e detyrueshme. Të paktën të kërkojë/pranojë dorëheqjen e tij njëlloj siç bëri me Fatmir Mediun.
Eshtë koha që kryeministri të bëjë një llogari të ndershme me veten e tij dhe për hir të vetes së tij. Nuk ka shumë kohë në dispozicion. Dosja tjetër përvëluese e Gërdecit, në të cilën ai, por dhe familjarë të tij janë përfshirë nën akuzë, është mina tjetër me sahat që po “kurdiset” për momentin e shpërthimit. Eshtë dhe miku i tij Fazlliç që është sërish në të njëjtat telashe. Kaq sa për të përmendur vetëm një seri të betejave të nesërme të kryeministrit, të cilat nuk i japin dot të drejtë, në asnjë mënyrë, që të vendosë gjithë shtetin në dispozicion të një individi që ndoshta gëzon ende besimin e tij. Ministri i Jashtëm ka rënë tashmë. Përpara dekretit që formalizon këtë rënie, ka dhe një dekret tjetër të perceptimit publik e moral që është vulosur. As përbetimet patriotike dhe as fati nuk e nxjerrin më dot nga gropa ku ka hyrë vetë, duke u shkaktuar shqiptarëve një humnerë financiare për të cilën do ta mallkojnë për vite me radhë. Dhe duke qenë ende shumë i ri, individi Basha do të jetë në jetë që t´i dëgjojë të gjitha, t´i paguajë të gjitha. Ndaj kryeministri duhet të bëjë ndarjen me të, që të mos bashkohet edhe fizikisht dhe të shënojë emrin në të njëjtën faturë të turpit dhe të veprës penale. E mbi të gjitha, që të mos e lërë më gjatë diplomacinë të notojë në ujëra “të jashtme” avokatësh personalë për t´ju përgjigjur prokurorëve këtu brenda.