Berisha: Rritja ekonomike, 4.8%
Qeveria ndryshon kuadrin Makroekonomik Fiskal 2009-2012, duke rishikuar rritjen ekonomike, që për këtë vit do të jetë 4.8%. Plani i mëparshëm, miratuar në janar të këtij viti, parashikonte një rritje ekonomike 6%, por situatat e fundit ekonomike në vend, me rënie të ardhurash dhe rritje deficiti, detyruan qeverinë të rishikojë rritjen, që gjithsesi mbetet larg parashikimeve të Fondit Monetar. Institucioni më i lartë monetar në botë, parashikon një rritje ekonomike për 2009-n që shkon në 0.4%, kurse qeveria kundërshton me pretendimin se janë marrë të gjitha masat, për qëndrueshmëri financiare. Në fjalën e tij, Berisha tha se, ekonomia shqiptare në 4 muajt e parë të vitit ka përjetuar rritje të të ardhurave me 10%, krahasuar me 2008-n. Kryeministri konfirmon qëndrueshmëri në sektorin e fasonit, kurse eksportet vijojnë me rritje.