E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja pranon FMN-në, shpërblehet me 1.2 miliardë euro kredi

Qeveria e Bosnjë-Hercegovinës nënshkroi një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të marrë 1.2 miliardë euro kredi afatshkurtër me interesa të ulëta dhe me afat trevjeçar dhe pranoi në këmbim të ndjekë këshillat e FMN-së për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, njoftoi dje "Balkan Insight". Kredia u dha për të mbuluar pasojat e krizës financiare ndërkombëtare në këtë vend. Bosnja do të paguajë interes variabël, që merr për bazë interesin mesatar të dollarit, euros dhe jenit në tregun ndërkombëtar dhe që në kushtet aktuale varion në 3-4 për qind në vit. Në këmbim të kredisë, Bosnja duhet të zbatojë disa masa jopopullore, ku përfshihet ulja e shpenzimeve buxhetore të të gjitha entiteteve, si dhe rritja e akcizave, si masa që do të stabilizojnë të ardhurat buxhetore dhe do të shmangin rrezikun e një kolapsi. Kredi të tilla janë tërhequr më herët edhe nga Serbia, Hungaria, Ukraina e Rumania. FMN zotëron qindra miliardë dollarë fonde për të kredituar vendet në vështirësi me interesa të leverdishme, por kërkon në këmbim reforma që do të garantojnë stabilitetin afatgjatë të vendit. Qeveria shqiptare ka refuzuar çdo diskutim për rikthim të marrëveshjes me FMN-në. Kryeministri Berisha deklaroi pak ditë më parë në një intervistë se "FMN në kohë të vështira shkakton më shumë probleme nga sa zgjidh".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›