Observacion për fëmijët në Elbasan
Për herë të parë në qarkun e Elbasanit përurohet Observatori për fëmijë, një strukturë kjo e shoqërisë civile dhe organizatave jo qeveritare, që punojnë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të fëmijëve në Shqipëri. Observatori përfaqëson një pjesë të procesit të krijimit të mekanizmave në të cilat qytetarët mund të marrin pjesë në mënyrë aktive. Përurimi i kësaj qendre ka përkuar edhe me vizitën e zonjës së parë të vendit, Teuta Topi, në krah të së cilës kanë qenë edhe zëvendësministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Marieta Zaçe. Takimi i organizuar në prefekturë, ka mbledhur të gjithë krerët vendor të Elbasanit, sikurse dhe kryebashkiakët dhe kryekomunarët e këtij qarku. Zonja Topi ka folur për të drejtat e fëmijëve dhe obligimet që rrjedhin nga ligjet në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Iniciativa për hapjen e qendrave të tilla do të vazhdojë edhe në disa qarqe të vendit: Shkodër, Dibër, Korçë. Të tillë observatorë do të funksionojnë në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, si dhe me agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe donatorë të tjerë.